RTSH 24 Live

Aktualitet

Atentati ndaj ish-prokurorit Ndoja, 5 të arrestuar dhe 4 në kërkim! Në pranga emra të njohur të botës së krimit

20/01/2023

Atentati ndaj ish-prokurorit Ndoja, 5 të arrestuar dhe 4 në kërkim! Në pranga emra të njohur të botës së krimit

Emra të njohur të botës së krimit kanë rënë në prangat e Policisë këtë të premte, të akuzuar si bashkëpunëtor në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, të ndodhur në nëntor të vitit 2019, nga ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku. Policia bën me dije se në pranga kanë rënë 5 persona dhe janë shpallur në kërkim 4 të tjerë, pas një operacioni të zhvilluar në Tiranë, Durrës dhe Fushë Krujë, ku u kryen kontrolle në 11 banesa.

Bëhet me dije se mes të arrestuarve janë Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku, Marsel Deçka, Endrit Sinani, Julian Pjetri dhe Bashkim Haxhija, ndërsa mes personave të shpallur në kërkim janë Julian Meçaj, Plaurent Dervishaj dhe Redjan Rraja.

Ata akuzohen se kanë siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer atentatin ndaj ish-prokurorit, ndërsa akuzat që rëndojnë ndaj tyre janë “vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, “vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “vjedhja”, më shumë se një herë, të kryera në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Ndërkohë, Akil Nerjaku, i njohur si “Kili” i Shijakut, i shpëtoi një atentat me snajper në shtator të 2022-shit. Ai rezulton me precedent të mëparshëm penale, pasi është arrestuar më herët për armëmbajtje pa leje, ndërsa dyshohet se u arrestua gjatë kontrollit të ushtruar nga hetuesit e BKH-së në banesën e Ramazan Rrajës, nipit të deputetit socialist Rrahman Rraja. Po ashtu, edhe Bashkim Haxhia është emër i njohur, ndërsa i shpëtoi një atentati në vitin 2019 në Durrës, teksa po lëvizte me automjet sëbashku me Plaurent Dervishajn dhe Julian Meçajn.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan 1 armë gjahu, 1 jelek antiplumb, 2 jelekë shpëtimi, dylbi me rreze të largët, 5 automjete, 4 milionë lekë, 6 aparate celulare, 50 kontrata shit-blerjeje pronash, dokumente, 11 ora dore të markave të shtrenjta dhe sende të tjera të ndryshme.  

Si ndodhi atentati ndaj Arjan Ndojës

Ngjarja u regjistrua më 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit. Ndoja po lëvizte në automjet me Landi Muharremin, person me precedent penal, i njohur si i "forti i Sukthit", dhe shoferin Andi Maloku. Nga të shtënat mbetën të plagosur Ndoja, Muharremi dhe Maloku, por fatkeqësisht ky i fundit nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë në spital. Nën akuzë për atentatin janë Redjan Rraja dhe Ariol Halili.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Komploti”, për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të një ngjarjeje të rëndë kriminale, të ndodhur në vitin 2019.
Operacioni u zhvillua në Tiranë, Durrës dhe Fushë Krujë.
Operacioni, nga Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, FNSH dhe Repartin Special Renea, nën koordinimin e SPAK-ut.
Ekzekutohen masat e sigurisë “Arrest në burg”, për 5 shtetas. Shpallen në kërkim 4 shtetas të tjerë.
Sekuestrohen 1 armë gjahu, 1 jelek antiplumb, 2 jelekë shpëtimi, dylbi me rreze të largët, 5 automjete, 4 milionë lekë, 6 aparate celulare, 50 kontrata shit-blerjeje pronash, dokumente, 11 ora dore të markave të shtrenjta dhe sende të tjera të ndryshme.
Gjatë këtij operacioni, u zhvilluan kontrolle në 11 banesa, në Tiranë, Durrës dhe Fushë Krujë.
Në vijim të hetimeve të thelluara për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të një ngjarjeje të rëndë kriminale, të ndodhur në datën 1 nëntor 2019, në Shkozet, Durrës, bazuar në provat e siguruara, Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, FNSH dhe Repartin Special Renea, ka organizuar dhe zhvilluar operacionin policor të koduar “Komploti“.
Gjatë këtij operacioni janë ekezkutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për shtetasit:
B. H., 54 vjeç, M. D., 38 vjeç dhe G. N. alias K. N., 40 vjeç, të tre banues në Durrës;
E. S., 29 vjeç dhe J. P., 45 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Gjithashtu, janë shpallur në kërkim 4 shtetas të tjerë, të dyshuar si bashkëpunëtorë me 5 shtetasit e arrestuar. Vijon puna për kapjen e tyre.
Materialet procedurale i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë (ndaj shtetasit A. N.), “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” (me pasojë vdekjen e shtetasit A. M. dhe mbetur në tentativë ndaj shtetasit A. L.), “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Vjedhja”, më shumë se një herë, të kryera në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.
 

/rtsh.al/