RTSH 24 Live

Europë

Arrestohet në Kolumbi bosi i Kamorrës napolitane, Gustavo Noçela

17 orë para

Arrestohet në Kolumbi bosi i Kamorrës napolitane, Gustavo Noçela

Drejtuesi i mafies napolitane, Gustavo Noçela (o. Nocella), u vendos të hënën (21 tetor) nën arrest nga autoritetet kolumbiane.

Bosi i Kamorrës për Napolin, që njihet si nyjë lidhëse kryesore me klanin mafioz dhe prodhuesit e drogës në Kolumbi, u arrestua brenda një apartamenti në qytetin e Medelinit.

Për Noçellën ishte lëshuar një urdhëarrest ndërkombëtar nga Interpoli me kërkesë të Deas së Napolit.

Policia kolumbiane informoi se ndalimi erdhi në kuadër të operacionit "Minerva".

Europoli bashkëpunoi me autoritetet britanike dhe karabinierët italianë për të furnizuar me informacione rreth përfaqësuesit të mafies, që njihet për lidhjet me klanin Rinaldi-Formikola, Amato-Pagano dhe De Miko.

Duke kryqëzuar informatat, autoritetet vendase zbuluan se Noçela kishte krijuar një bazë të re operative në Kolumbi. Policia kolumbiane shpjegoi se arriti ta identifikojë duke u nisur nga shijet dhe hobet e tij, mes tyre edhe loja e bilardos, dhe prej shoqërimit nga një kafshë shtëpiake. 58-vjeçari ndryshonte vazhdimisht apartamentet në vende ekskluzive të Medelinit, për të mos ngritur dyshime.

"Ky trafikant i padukshëm droge ishte përgjegjës për koordinimin logjistik për të përgatitur dhe për të magazinuar tretësirën klorhidrike të kokainës, që do të transportohej nga Kolumbia në Amsterdam me barka dhe anije me vela. Më tej, nga Holanda ngarkesa do të shkonte në Napoli me kamion, automjete, madje edhe mjete të transportit publik," sqaruan forcat kolumbiane të rendit. /La Repubblica

/rtsh.al/