RTSH 24 Live

Europë

Moldavia voton për të qenë në BE, presidentja akuzon Rusinë për ndërhyrje

17 orë para

Moldavia voton për të qenë në BE, presidentja akuzon Rusinë për ndërhyrje

Moldavia i është përgjigjur me "po" pyetjes së një referendumi mbarëpopullor nëse duhet të jetë pjesë e Bashkimit Europian.

I gjithë procesi para votimit u shoqërua me debate të ashpra dhe pati pretendime nga zëdhënësit e BE-së se Rusia ndërhyri me një fushatë "intimiduese" dhe çorientuese.

Të hënën, autoriteti zgjedhor njoftoi se 50,39 për qind e votuesve u shprehën në favor të anëtarësimit në BE, ndërsa "jo" u përgjigjën 49,61 për qind e pjesëmarrësve.

Referendumi u mbajt ndërkohë që presidentja Maia Sandu po kërkon një mandat tjetër. Kryetarja e shtetit akuzoi se "liritë dhe demokracia e vendit tonë janë nën një sulm të paprecedentë". Vetëm pak orë më parë rezultatet e pjesshme tregonin se 55–57 për qind e moldavëve nuk dëshironin t'i bashkoheshin familjes së BE-së.

Në garën presidenciale, kur janë numëruar mbi 97,7 për qind e votave, presidentja Sandu siguroi 41,91 për qind të votave. 

Më 3 nëntor ajo do të përballet në balotazh me rivalin kryesor, ish-kryeprokurorin Aleksandër Stoianoglo (o. Alesandr), i cili të dielën mori 26,32 për qind të votave. Stoianoglo është shprehur se ai do të ndërtonte një politikë të jashtme "të balancuar" me lidhje me BE-në, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusinë dhe Kinën. /AJ

/rtsh.al/