Shefi i Sektori kundër Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, Gazmir Preçi është arrestuar me urdhër të SPAK.
Mbi Preçin rëndojnë akuzat për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv” i personave që ushtrojnë funksione publike.
Arrestimi i tij u bë i mundur, pas hetimeve të zhvilluara ku si rezultat u siguruan prova dhe fakte që ky punonjës policie, duke shfrytëzuar funksionin organik, i ka kërkuar 20 mijë euro dhe marrë shumën prej 10 mijë euro në fazën e parë, nëpërmjet shantazhit për bllokimin e aktivitetit në biznes një shtetasi, posedues i një lokali në qytetin e Durrësit.
Në përfundim të veprimeve janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale vlera monetare prej 10 mijë euro, dokumente që lidhen me ngjarjen dhe dy aparate telefonikë celularë. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë me prova ligjore, si dhe identifikimin e punonjësve të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë ngjarje.
Gazetare: Amela Kocerri
/RTSH/