RTSH 24 Live

Aktualitet

Ankimoi masën e sigurisë, Apeli i GJKKO lë në burg ish-drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberi

25/04/2024

Ankimoi masën e sigurisë, Apeli i GJKKO lë në burg ish-drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberi

Apeli i Gjyktës së Posaçme (GJKKO) ka lënë në fuqi masën e arrestit në burg për ish-drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberi dhe dy personat e tjerë të arrestuar, Valter Begajn dhe Ervis Lamin. Këta të fundit ankimuan vendimin e GJKKO-së, por Apeli nuk e pranoi kërkesën e tyre.

Evis Berberi, Valter Begaj dhe Ervis Lame u vunë në pranga më 16 mars, ndërsa akuzohen nga SPAK për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”,  “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

Sipas SPAK Berberi ka marrë para nga biznesmeni Valter Begaj, kompania e të cilit përfitoi 6 tendera gjatë kohës që Berberi ka qenë në krye të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Nga hetimet rezulton se Berberi ka dhënë 3 tendera gjatë kohës që drejtonte Agjencinë për Efiçencën e Energjisë me vlerë totale 137,400,000 pa Tvsh dhe 3 tendera të tjerë gjatë kohës që drejtonte Autoritetin Rrugor Shqiptar me vlerë totale 101,811, 343 lekë pa Tvsh, ku përfitues i vetëm i tyre ishte biznesmeni Valter Begaj.

Shuma e përfituar nga Berberi nga Valter Begajt është 223,480,476 lekë, me tvsh dhe këto para janë kaluar me transaksione nga kompania e Valter Begaj në kompaninë e Ervis Lames dhe në zotërim indirekt nga Evis Berberi, që më pas i kanë investuar në pasuri të paluajtshme në emër të kompanisë.

Berberi u dorëhoq nga drejtimi i ARRSH-së pak orë para arrestimit më 13 mars.

/rtsh.al/