RTSH 24 Live

Aktualitet

Pashka Ortodokse festohet në rrethe, besimtarët luten për më shumë paqe dhe jetë më të mirë

05/05/2024

Pashka Ortodokse festohet në rrethe, besimtarët luten për më shumë paqe dhe jetë më të mirë

Besimtarët ortodoksë në mbarë vendin kremtuan në mesnatë ngjalljen e Krishtit në meshën e Pashkëve, dita më e rëndësishme në kalendarin festiv të krishterë.

Besimtarët ortodokse në Gjirokastër kanë kremtuar Pashkën e Madhe në katedralen “Ngjallja e Krishtit”. Ndërkohë që kanë uruar për paqe e harmoni në familjet e gjithsecilit. Të shumtë kanë qenë besimtarët të cilët kanë ardhur nga Greqia për të festuar me familjare të tyre.

Ndërkohë, besimtarët ortodokse të Lushnjës kanë pritur ritualin e ringjalljes së Jezu Krishtit ne vigjilje të Pashkës. Në momentin e mesazhit të thënë "Krishti  u Ngjall", në mesnatë, të pranishmit në kishë morën dritën e qiririt, që simbolizon fillimin e jetës.

Me qirinj të ndezur, besimtarët vërshuan drejt rrugëve për në banesat e tyre, duke mbajtur të ndezur flakën e qirinjve të marrë në kishë.

Në mesnatë, qindra besimtarë ortodoksë në Fier kanë ndjekur meshën e ngjalljes së Krishtit në kishën e “Shën Gjergjit”. Metropoliti At Nikolla ka mbajtur meshën që i dedikohet ringjalljes së Krishtit.

Qindra besimtarë janë afruar dhe kanë marrë flakën e shenjtë që simbolizon dritën dhe që sipas traditës çdo besimtarë e merr atë në çdo familje për të ndriçuar rrugën drejt jetës dhe mirësisë.

Një dhuratë tradicionale e Pashkës janë vezët e kuqe. Ngjyra e kuqe simbolizon gjakun e Krishtit dhe përplasje e tyre simbolizon çarjen e pushtetit të Ferrit me ngjalljen e Krishtit. Vezët janë simbol i lindjes së jetës nga guaçka e vdekjes. Fjala Pashkë shoqërohet me fjalën e ndritshme, duke treguar ose simbolizuar dritën, që del nga varri i Krishtit.

Madje për të përforcuar ndritshmërinë e Pashkës besimtarët marrin me anë të llambave të zbukuruara dritën, të cilën klerikët e marrin nga flaka e kandilit të pashuar të Tryezës së Shenjtë, e cila simbolizon varrin e Krishtit të ngjallur dhe e çojnë në shtëpitë e tyre, duke bërë kryqin në pragun e shtëpisë dhe duke e mbajtur këtë flakë të pashuar për 40 ditë.

Pas procesionit të ndjekur në mesnatë në kishën e “Shën Gjergjit” besimtarët ortodoks janë lutur për më shumë paqe dhe mirësi brenda shpirtrave të tyre, njeri-tjetrit besimtarëve dhe gjithë këtij komuniteti. Urimi gëzuar Pashkët, “Krishti u Ngjall” bashkon të gjithë besimtarët në këtë qytet ndërsa ky urim shkon edhe për të gjitha besimet e tjera.

Për të gjithë besimtarët ortodoksë në qytetin e Beratit, mesnata solli lajmin e gëzuar se “Krishti u ngjall”, e bashkë me të u ringjall edhe shpresa për botën. Ceremonia e Pashkës në Berat u kremtua në Katedralen “Shën Dhimitri” dhe u drejtua nga At Petraq Simsia dhe At Johan Qako. Ceremonia e shenjtë u ndoq nga qindra besimtarë ortodoksë, të cilët ishin mbledhur brenda dhe jashtë ambienteve të Katedrales, duke u lutur në një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit të krishterë, për më shumë paqe dhe jetë më të mirë.

Besimtarët ortodoksë beratas morën pjesë fillimisht në meshën për ringjalljen e Krishtit, që pasoi me lutjen e traditës sipas liturgjisë, me lutje ndaj Zotit dhe duke respektuar të gjitha ritet e kësaj feste. Më pas, besimtarët ortodoksë morën dritë nga drita e Zotit, duke ndezur qirinj nga imzot Ignati, dritë që çdo besimtar ortodoks e përcjellë me vete në shtëpinë e tij, si shenjë mirësie dhe për të marrë bekimin e Zotit. Mesnata, që shënoi edhe ringjalljes e Krishtit, kulmoi në sheshin qendror të qytetit, jashtë Katedrales “Shën Dhimitri”,ku të gjithë besimtarët ndriçuan qytetin me dritën e Zotit, me qirinj në duar. Besimtarët ortodoksë beratas uruan të gjithë besimtarët ortodoksë në të gjithë Shqipërinë për më shumë paqe, begati e mirësi në çdo familje shqiptare.

Edhe besimtarët ortodoksë në qytetin e Elbasanit kanë kremtuar mbrëmë në mesnatë  ngjalljen e Jezu Krishtit në meshën e Pashkëve. Mitropoliti i Elbasanit, Librazhdit dhe Shpatit imzot Andoni ka mbajtur meshën në kishën ortodokse “Shën Kolli” në Elbasan, Mesha shenjtë u ndoq nga besimtarë të shumtë ortodoksë, brenda dhe jashtë ambienteve të kishës duke u lutur për më shumë paqe dhe jetë më të mirë. Më pas, besimtarët ortodoksë morën dritë nga drita e Zotit, duke ndezur qirinj. Drita simbolizon për besimtaret ortodoks si shenjë mirësie dhe për të marrë bekimin e Zotit.

Pashka është kremtimi i ringjalljes së Jezusit, e cila festohet tri ditë pas vdekjes së tij në kryq. Pashkët e krishtera janë në lidhje të ngushtë me ato hebraiket, në të cilat festohet çlirimi i hebrenjve nga Egjipti prej Moisiut. Fjala Pashkë në të vërtetë do të thotë kalim: për hebrenjtë është kalimi nga robëria në liri, ndërsa për të krishterët nga vdekja trupore dhe frymore në Jetën e Re të Amshuar.

/rtsh.al/