RTSH 24 Live

Kosovë

Amerikanët dhe BE në Prishtinë

20/10/2023

Amerikanët dhe BE në Prishtinë

Kryeministri Albin Kurti gjatë një deklarate për mediat theksoi se siguria e Kosovës duhet të jetë prioritet i institucioneve. Duke mos komentuar vizitën e së shtunës të 5 përfaqësuesve të BE dhe SHBA, Kurti tha se kërkesat dhe ofertat e tyre do t’i mësojë gjatë takimit të së shtunës. 

“Unë mund të them se nuk mund të kemi normalizim pa siguri. Është jetike për Kosovën, demokracinë por edhe për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi që ata që nuk e kanë ditur ose nuk e kanë kuptuar se kush është Serbia dhe Beogradi zyrtar, më në fund duhet ta bëjnë këtë sepse nuk është Kosova që duhet t’i vënë masa ndëshkuese por është Serbia ajo që duhet t’i vendosen sanksionet.” tha kryeministri i Kosovës.
 
Në lidhje me rinisjen e dialogut në Bruksel, Kurti akuzoi Beogradin si shkaktar për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura, ndërsa kërkoi të vensosen sanksione ndaj Serbisë. 

" Marrëveshja bazike e Brukselit nga 27 shkurti e ka në qendër njohjen defakto reciproke dhe sa më parë që zbatohet ajo, do të kemi jo vetëm normalizim demokratik e evropian por edhe siguri për vendin tonë e rajonin” tha Kurti.
  
Të shtunën, të dërguarit e BE dhe SHBA Miroslav Lajçak e Gabriel Eskobar të shoqëruar nga diplomati francez Emanuel Bon, ai gjerman Jens Pletner dhe italiani Françesko Talo do të qëndrojnë  fillimisht në Prishtinë e më pas do të shkojnë për bisedime në Beograd.

Sipas mediave rajonale, që cilat citojnë burime diplomatike, 5 përfaqësuesit e Perëndimit pritet të prezantojnë kërkesa dhe afate specifike për dy vendet, por edhe për t’u bërë të ditura pasojat konkrete nëse refuzohet zbatimi i marrëveshjes së Ohrit.

Gazetare Vjollca Zharri

/ rtsh.al /