Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve në Shqipëri, Klevis Qose dhe Drejtori i Inteligjencës Korrektuese, Edlir Ajazi kanë mbyllur vizitën e tyre studimore në Shtetet e Bashkuara këtë javë.
Sikurse njofton ambasada amerikane në Tiranë, ndërsa ishin në Shtetet e Bashkuara, ata u takuan me drejtuesit në selinë e ICITAP në Departamentin e Drejtësisë në Uashington, DC, dhe Divizionin e Inteligjencës dhe Hetimeve të Departamentit të Sigurisë Publike dhe Shërbimeve Korrektuese të Maryland.
Ata gjithashtu udhëtuan në Orlando, Florida, për Konferencën Dimërore të Shoqatës Korrektuese Amerikane.
Kjo vizitë, e financuar nga Departamenti i Shtetit dhe ICITAP, mbështet zhvillimin e Njësisë së Inteligjencës Korrektuese të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, një tjetër hap për të çuar më tej reformën në drejtësi dhe sundimin e ligjit në Shqipëri.
/rtsh.al/