Ambasada e SHBA në Tiranë ka përgëzuar Altin Dumanin për zgjedhjen e tij si Kryeprokurori i ardhshëm i SPAK. Në një postim në faqen zyrtare në Facebook, ambasada e SHBA shpreh mbështetjen për Dumanin në punën që e pret, teksa thekson edhe njëherë rëndësinë e reformës në drejtësi.
Ambasada thekson se SHBA do të vijojë të mbështesë këtë reformë, teksa shton se plotësimi i këtij kushtu nuk është i rëndësishëm vetëm për anëtarësimin në BE, por është një kërkesë e drejtë e popullit shqiptar.
“Ambasada e SHBA përgëzon Altin Dumanin për zgjedhjen si Kryeprokurori i ardhshëm i SPAK. Të tre kandidatët – zoti Dumani, Adnan Xholi dhe Edvin Kondili – janë shumë të kualifikuar dhe meritojnë respekt të plotë në përpjekjet e tyre. Presim me kënaqësi të punojmë ngushtë me të gjithë ata. Për të çuar përpara Memorandumin e Presidentit Biden në Përcaktimin e Luftës kundër Korrupsionit si një Interes Thelbësor i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara (qershor 2021), ne do të vazhdojmë të mbështesim zbatimin e reformës në drejtësi”, thuhet në postim.
Po ashtu, ambasada amerikane thekson se puna e SPAK duhet të vazhdojë të demonstrojë që askush nuk është mbi ligjin dhe se koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund.
“Presim me kënaqësi të mbështesim zotin Dumani dhe SPAK-un ndërsa ata vazhdojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Puna e SPAK-ut duhet të vazhdojë të demonstrojë që askush nuk është mbi ligjin. Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund. Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kusht për anëtarësimin në BE, është një kërkesë e drejtë e popullit shqiptar. Shtetet e Bashkuara do qëndrojnë gjithnjë krah popullit shqiptar. Falënderojmë Këshillin e Lartë të Prokurorisë për një proces përzgjedhës i cili pati qëllim të siguronte integritetin e procesit. Është thelbësore për institucionet e drejtësisë që të veprojnë me integritet, pa frikë apo favore. Vlerësojmë shumë zotin Kraja për udhëheqësinë dhe përkushtimin e tij si Kryeprokurori i SPAK. Ai vendosi themele të forta mbi të cilat pasardhësit e tij mund të ndërtojnë”, përfundon postimi.
Po ashtu, edhe Ambasadorja e BE në Tiranë, Christiane Hohmann, ka uruar Dumanin për zgjedhjen si kryetari i ri i SPAK, teksa shkruan në Twitter se një Prokurori e Posaçme efektive është thelbësore për suksesin e reformës në drejtësi.
“Përshëndes zgjedhjen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë të z. Altin Dumani si kryetar i ri i SPAK . Urime! Shpreh vlerësimin tim të lartë për z. Arben Kraja për punën e bërë gjatë tre viteve të fundit. Një SPAK efektiv është thelbësor për suksesin e Reformës në Drejtësi”, shkruan Hohmann.
Altin Dumani është kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, ndërsa u zgjodh zgjedhur me 5 vota pro nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, proces që u ndoq edhe nga Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim. Dumani do të ketë një mandat 3-vjeçar në krye të SPAK pa të drejtë rizgjedhje, teksa zëvendëson në këtë detyrë Arbën Krajën, të cilit i mbaroi mandati, ndërsa nis punën që më 19 dhjetor 2022.
/rtsh.al/