RTSH 24 Live

Politikë

Alibali: Berisha dhe Rama po e përdorin SPAK si kalë beteje për zgjedhjet

11/11/2024

Alibali: Berisha dhe Rama po e përdorin SPAK si kalë beteje për zgjedhjet

Analisti Neritan Alibali ka deklaruar në studion e emisionit “3D” të moderatorit Alban Dudushit në RTSH1 se Berisha dhe Rama po e përdorin SPAK si kalë beteje për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Alibali theksoi se sulmet ndaj në radhët e opozitës janë shndërruar një një kauzë të vetë Partisë Demokratike në luftën e saj për pushtet.

“Berisha vazhdimisht e ka sulmuar SPAK-un, ajo është bërë edhe një kauzë politike e Partisë Demokratike. Qëndrimi ndaj SPAK-ut tregon besnikërinë ndaj Partisë Demokratike. Mendoj se tonat janë ngritur për një arsye tjetër, Edi Rama po e bën kalë beteje për fushatën elektorale pikërisht reformën në drejtësi dhe punën e SPAK-ut.  Mendoj që edhe Berisha po e kthen SPAK-un në kalë beteje por në optikën e vet”, u shpreh Alibali.

Ai vuri në dukje se kryeministri Rama dhe kryedemokrati Berisha po përdorin SPAK-un për kapital politik teksa vendi pas pak muajsh do të shkojë drejt zgjedhjeve parlamentare.

Sipas tij, retorika politike do të jetë edhe më e ashpër përgjatë fushatës elektorale.

Sa më shumë e përdor Rama SPAK-un dhe reformën në drejtësi për fitoren e zgjedhjeve, aq më i egër do të jetë Berisha duke sulmuar pikërisht SPAK-un dhe reformën në drejtësi. SPAK-u do të bëhet sanduiç si pasojë e presionit politik që do të bëhet gjatë fushatës. Retorika do të jetë gjithnjë e më egër kur tani kanë një element ku të mbështeten”, tha Alibali.

/rtsh.al/