Kurti shpjegon se trupat ushtarake kanë ikur në drejtim të Serbisë kur kanë parë që janë pikasur e xhiruar nga forcat e Kosovës. Ai e konsideron këtë lëvizje të forcave serbe si provokim të Beogradit. 

Serbia sot ka provokuar sërish duke lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, në territorin e komunës së Kamenicës. Institucionet përkatëse të sigurisë së Republikës së Kosovës kanë detektuar menjëherë këto lëvizje provokuese nga ushtria e Serbisë, të cilat kanë për synim nxitjen e tensioneve. Kur e kanë parë që i kemi vërejtur dhe xhiruar, kanë ikur me shpejtësi e janë larguar për në brendi të territorit të tyre”, shkruan Kurti në postimin e tij në Facebook, të cilin e shoqëron edhe me pamjet përkatëse të forcave serbe në kufi me Kosovën. 

Kreu i qeverisë shkruan më tej se Kosova ka investuar në ngritjen e kapaciteteve për të parandaluar çdo kërcënim. 

Sinergjia ndërmjet strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe bashkëpunimi me partnerët e aleatët rajonalë dhe ndërkombëtarë, përbën garanci për sigurinë në Kosovë. Ndërkohë, Serbia vazhdon të nxisë tensione nëpërmjet veprimeve hibride, duke synuar destabilizimin e rajonit, megjithëse hapësira për këto manovra po i ngushtohet dita-ditës. Kosova mbetet e palëkundur në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike, me institucionet e saj vigjilente 24/7, duke mbrojtur vendin e duke siguruar monitorim maksimal të situatës”, nënvizon më tej kryeministri i Kosovës.

/rtsh.al/