RTSH 24 Live

Aktualitet

Alarm në konsullatën e Iranit në Paris, policia arrestoi një të dyshuar që kërcënonte se do të hidhte veten në erë

19/04/2024

Alarm në konsullatën e Iranit në Paris, policia arrestoi një të dyshuar që kërcënonte se do të hidhte veten në erë

Autoritetet franceze arrestuan të premten një person pas një alarmi të dhënë nga konsullata e Iranit në Paris se në ambientet e saj kishte hyrë dikush me lëndë eksplozive. 

Policia e kryeqytetit francez deklaroi se i dyshuari doli nga konsullata dhe po merret në pyetje. 

Ndërkohë prokurorët e çështjes njoftuan se pas alarmit të konsullatës iraniane nuk u gjet asnjë lloj eksplozivi. 

Mediat franceze raportuan se i dyshuari kishte kërcënuar se do të hidhte veten në erë. Një burim sigurie i tha më herët Agjencisë Franceze të Lajmeve se misioni diplomatik i Iranit thirri forcat e rendit pasi një dëshmitar vuri re një burrë që kishte hyrë në ndërtesë duke mbajtur një granatë ose një brez me eksploziv. Njësia elitare e policisë u mobilizua kur u kërkua ndërhyrja e menjëhershme dhe pasi rrethoi zonën u bëri thirrje qytetarëve që të shmangnin zonën. Edhe kompania e transportit në kryeqytetin francez njoftoi se pezulloi qarkullimin e dy linjave metroje që kalonin pranë  konsullatës së Iranit në Paris. 

Gazetare Vjollca Xharri

/ rtsh.al /