RTSH 24 Live

Kosovë

Kurti kërkoi heqjen e masave ndëshkuese, BE: Atë e vendosim ne kur hiqen, jo qeveria e Kosovës

02/05/2024

Kurti kërkoi heqjen e masave ndëshkuese, BE: Atë e vendosim ne kur hiqen, jo qeveria e Kosovës

Bashkimi Europian do të heq masat e vendosura ndaj Kosovës kur ta mundojë se ajo ka plotësuar të gjitha kushtet. Duke iu përgjigjur kërkesës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti se BE duhet të heq masat pas plotësimit të kërkesave, Peter Stano tha se masat hiqen kur të vendosin shtetet anëtare dhe jo qeveria e Kosovës.

Zëdhënësi i BE-së tha se deri më tani nuk janë plotësuar të gjitha kushtet dhe se masat vijojnë të mbeten në fuqi.

“Kur BE-ja paraqiti masat kundër Kosovës, shkaku i krizave, vendimeve të njëanshme eskalimet në raport me Serbinë, Bashkimi Evropian ishte i qartë se ato janë të kthyeshme. Kështu që ato do të hiqen në momentin që vendet anëtare vendosin, kur vendet anëtare vendosin, e jo kur politikanët e Kosovës vendosin. Pra, kur vendet anëtare vendosin se nuk ka më arsye për t’i mbajtur masat në fuqi. Dhe kjo nuk ka ndodhur deri tani, vendet anëtare vazhdojnë diskutimet dhe këto janë procese të brendshme. U mbetet vendeve anëtare të rivlerësojnë situatën dhe më pas me institucionet evropiane të vendosin nëse duhet hequr masat ose jo. Mund vetëm të konfirmoj se diskutimet ende po vazhdojnë dhe rikujtoj se masat nuk janë hequr”, tha Stano.

BE kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të përshkallëzimit të situatës me Serbinë, ndërsa një nga kushtet ishte mbajtja e zgjedhjeve për komuna në veri. Me dështimin e këtyre zgjedhjeve për shkak të pjesëmarrjes së ulët, kryeministri Kurti kërkoi që masat të hiqeshin pasi detyrimi i Kosovës ishte plotësuar.

/rtsh.al/