RTSH 24 Live

Aktualitet

Akuzohet se organizoi atentatin ndaj Inez Hajrullës, ekstradohet nga Spanja Leonard Luzi  

09/11/2024

Akuzohet se organizoi atentatin ndaj Inez Hajrullës, ekstradohet nga Spanja Leonard Luzi  

Leonard Luzi, i akuzuar se porositi atentatin e dështuar ndaj Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashajt, është ekstraduar nga Spanja këtë të shtunë (9 nëntor). 

47-vjeçari Luzi u arrestua në Spanjë më 17 korrik të këtij viti, pasi GJKKO kishte caktuar ndaj tij masën “Arrest në burg” për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Luzi akuzohet se më 8 gusht 2023, në bashkëpunim me të tjerë, kishte organizuar vrasjen e Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashajt, ngjarje që u parandalua nga policia. 

Luzi kishte paguar Amarildo Nikollin për vrasjen e Hajrullës dhe Matodashit, i cili u kap nga policia në momentin që do të kryente atentatin. Atij iu sekuestrua edhe pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje për të eliminuar Inez Hajrullën.

Ka qenë Amarildo Nikolli që ka treguar të gjithë ngjarjen duke bashkëpunuar me drejtësinë, që nxori edhe emrin e Leonard Luzit  si organizator i këtij atentati ndaj Ervis Matodashaj, i njohur me pseudonimin “Qorri” dhe Inez Hajrulla i njohur me shkurtimin e emrit “Ini” ose me nofkën “sakati”.

/rtsh.al/