RTSH 24 Live

Aktualitet

Akuzohen se tjetërsuan 10 mijë m2 tokë, SPAK dërgon për gjykim Jorgo Goron dhe 4 të tjerë

2 orë para

Akuzohen se tjetërsuan 10 mijë m2 tokë, SPAK dërgon për gjykim Jorgo Goron dhe 4 të tjerë

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-kreun e Bashkisë Himarë, Jorgo Goro dhe 4 persona të tjerë, të akuzuar se tjetërsuan 10 mijë metër katrorë tokë në Dhërmi.

Katër personat e tjerë të dërguar për gjykim: Jerasimo Bashi, ish Drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Bashkisë Himarë; Bilbil Aliaj ish Drejtor i ZVRPP-së, dega vendore Vlorë; Vezir Gjikokaj, ish Jurist i ZVRPP-së, dega vendore Vlorë; dhe Stavri Mëhilli, trashëgimtar i pronës.

Sipas SPAK, pemës përmes dokumentave të falsifikuar, këta persona kanë lejuar regjistrimin e parregullt të dy pasurive të patundshme në bregdet, me sipërfaqe totale 10592 m2.

Në lidhje me episodin e parë, Goro, në bashkëpunim me Jerasimo Bashin, kanë dërguar pranë ZVRPP-së Vlorë për qëllime regjistrimi të pasurisë me dokuemntacion që përmbante, sipas SPAK, qartazi të dhëna të rreme, në një kohë që në Bashki, ky dokumentacion ndodhej i mirëadministruar dhe me të dhëna autentike të pasurisë së ndarë me ligjin Nr. 7501, në favor të personit me inicialet  F. M.

Megjithëse në rastin objekt hetimi ka qenë fare e lehtë për ish zyrtarët e Bashkisë Himarë të konfirmonin ose jo vërtetësinë e AMTP-së dhe Formularit Nr. 6, të paraqitur nga i pandehuri Stavri Mëhilli, siç ligji e kërkon, të bashkëpandehurit kanë dërguar një kërkesë për regjistrim të pasurisë (Nr. 36/36/1) me përmbajtje të rreme (vetë shkresa e përcjellë) por edhe me dokumentacion bashkëngjitur të provuar të falsifikuar”, shkruan SPAK.

Në lidhje me episodin e dytë, Goro dhe 4 personat e tjerë kanë konfirmuar një plan rilevimi me një vendndodhje gjeografike të një pasurie krejtësisht të ndryshme nga ajo që i korrespondon dokumentacionit pronësor. Madje kësaj pasurie, të pandehurit i kanë dhënë një numër të ri, të pabazuar në asnjë të dhënë fakti dhe krejtësisht në kapërcim të kompetencave që u njeh ligji.

“Ky plan rilevimi i konfirmuar nga të bashkëpandehurit ka shërbyer për të gjithë procedurën e zhvillimit të pronës deri në  lëshimin e Lejes së Ndërtimit në emër të shoqërisë “AG.TCC” sh.p.k.”, thotë SPAK.

Të dyja këto pasuri, me kërkesë të SPAK janë vendosur nën sekuestro preventive, përkatësisht.

Gjithashtu, Goro akuzohet edhe për mosdeklarim pasurie, pasi nga hetimet rezultoi se ai ka një apartament në Tiranë me sipërfaqe 81.41 m2. Sipas SPAK, edhe pse apartamenti është aktualisht i regjistruar në pronësi të shtetasit G. S., i Goro është pronar faktik duke patur mbi të, të drejta dhe interesa pasurore.

Nga ana tjetër, referuar Deklaratave të Interesave Private të vitit 2020 dhe në vijim, përpiluar dhe nënshkruar nga i pandehuri Jorgo Goro, në cilësinë e subjektit të zgjedhur vendor, nuk ekziston asnjë gjurmë e deklarimit të interesave të tij apo familjarëve mbi këtë pasuri, shpenzime të mundshme për porositjen ose blerjen e tij, të drejta posedimi apo pronësie mbi të. Për këtë shkak, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, pasuria në fjalë është vendosur nën sekuestro preventive në bazë të Vendimit Nr. 28 datë 31.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thekson SPAK.

Në lidhje me Bilbil Aliajn dhe Vezir Gjikokajn, nga hetimi ka rezultuar se ata kanë lëshuar vërtetimin nga dokumentat hipotekorë në emër të shtetasit F. M., me AMTP të  falsifikuar, përsa i përket sipërfaqes prej 5512 m2 tokë.

Më pas, në bazë  të këtyre formularëve të falsifikuar, Aliaj dhe Gjikokaj kanë nënshkruar vërtetimin nga dokumentat hipotekorë, i cili provon  regjistrimin e pronësisë në një zonë të pamenaxhuar.

Ndërkohë, Stavri Mëhilli akuzohet se ka përdorur më shumë se një herë dy formularë të falsifikuar. Ai ka paraqitur kërkesë pranë Bashkisë Himarë për regjistrimin e dy pronave në “Llangadhaqa”  dhe “Perivolo”, me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi të falsifikuar në përmbajtje.

Në pjesën që lidhet me pasurinë Nr. 36/36/1, ndodhur në Perivolo, me sipërfaqe 5512 m2, e llojit “Truall”. Po kështu, ky formular (AMTP), referuar aktit të ekspertimit teknik – grafik Nr. 5227, datë 20.06.2023, të kryer nga ana e Institutit të Policisë Shkencore Tiranë, ka rezultuar të jetë i falsifikuar në nënshkrimin e shtetasit K. Gj., Kryetar  i Komisionit dhe nënshkrimin e shtetasit M. Gj., Përfaqësues i Rrethit në Komision. Ky akt rezulton të jetë ai bazë, i përdorur gjatë gjithë procedurës  së regjistrimit të pasurisë”, shkruhet në njoftimin e SPAK.

Po ashtu Mëhilli ka  paraqitur të falsifikuar edhe Listën e Familjeve që morën tokë në pronësi në fshatin Gjilek të Vlorës. Ky dokument, i cili ka shërbyer si dokument bazë për regjistrimin e pasurisë me sipërfaqen prej 5512 m2, nga akti i ekspertimit është provuar të jetë i falsifikuar nënshkrimi i shtetasit K. Gj., Kryetar i Komisionit të tokës në fshat.

Përdorimi i këtyre dy formularëve përfshin të gjithë procedurën e ndjekur, duke nisur nga Bashkia Himarë për të përfunduar tek ASHK-ja Vlorë.  Përveç këtyre dy formularëve, i pandehuri Stavri Mëhilli provohet të ketë përdorur më shumë se një herë edhe dy dokumenta të tjerë të falsifikuar, konkretisht shkresën Nr. 1492/2 Prot., datë 22.07.2019, dhe shkresën Nr. 1492/1, Prot., datë 22.07.2019. Këto dokumenta të falsifikuara, rezulton të jenë përdorur pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, si edhe pranë noteres S. H., e cila ka përpiluar kontratën “Premtim Shitje”, me Nr. Rep. 836; Nr. Kol. 559, datë 25.07.2019. I pandehuri Stavri Mëhilli, provohet gjithashtu të ketë shitur pasurinë e përfituar nga kryerja e veprave penale sipas nenit 186/2 e 190/2, të Kodit Penal, duke qenë në dijeni të plotë të prejardhjes kriminale të saj. Transaksioni është realizuar kundrejt përfitimit financiar dhe transferimi i pasurisë është bërë me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme, formë objektive kjo e kryerjes se veprës penale, e parashikuar në gërmën “a” të paragrafit të parë të nenit 287, të Kodit Penal”, thekson SPAK.

/rtsh.al/