RTSH 24 Live

Sociale

Agjencia e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri: Tur çiklistik në 16 bashki si pjesë e fushatës kundër dhunës ndaj grave!

27/11/2024

Agjencia e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri: Tur çiklistik në 16 bashki si pjesë e fushatës kundër dhunës ndaj grave!

Ky vit shënon 25-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, dhe në Shqipëri organizatat e OKB-së kanë organizuar një tur çiklistik në 16 bashki.

Për herë të parë gjatë fushatës organizohet stafeta me biçikleta, për të promovuar mesazhin që nuk ka asnjë justifikim për dhunën ndaj grave dhe vajzave. Turi çiklistik do të përshkojë një distancë prej 1140 kilometrash nga veriu në jug, duke organizuar aktivitete në çdo bashki gjatë rrugës dhe duke angazhuar aktivistë, drejtues vendorë dhe qytetarë. Ky tur i veçantë simbolizon unitetin, rezistencën dhe udhëtimin e përbashkët drejt një shoqërie pa dhunë.

Qindra aktivitete sportive dhe artistike në hapësira publike, shkolla dhe nisma të udhëhequra nga shoqëria civile dhe aktorët lokalë, nga veriu në jug, synojnë të rrisin ndërgjegjësimin dhe të mobilizojnë veprim. Fushata, e simbolizuar nga ngjyra portokalli, synon të thyejë stereotipet e dëmshme, të sfidojë rolet gjinore dhe të angazhojë publikun për të refuzuar të gjitha format e dhunës.

16 Ditët e Aktivizmit, të cilat zgjasin deri në Ditën e të Drejtave të Njeriut, më 10 dhjetor, janë një thirrje për veprim për të gjithë që të bashkohen kundër dhunës. Bashkohu në fushatën kombëtare në mediet sociale me #AsnjëJustifikim dhe #16Ditë.

Në Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës ndaj Grave, Agjencitë e OKB-së në Shqipëri theksojnë rëndësinë e zbatimit të legjislacionit ekzistues, investimit në parandalim dhe mbështetjes së të mbijetuarave. Në Shqipëri afërsisht një në dy gra kanë përjetuar dhunë gjatë jetës së tyre. Në nëntë muajt e parë të këtij viti, 2923 gra raportuan dhunë në polici. Mbi 3800 gra kërkuan ndihmë nga Linja e Këshillimit për Gratë dhe Vajzat (116117): Ndërsa rritja prej 12% krahasuar me vitin e kaluar tregon se dhuna me bazë gjinore mbetet e përhapur, ajo gjithashtu sugjeron se besimi tek sistemi i mbrojtjes i disponueshëm për viktimat është në rritje.

Për vitin e ardhshëm, mbi 64 milionë lekë janë alokuar për strehim social për të mbështetur 970 të mbijetuara të dhunës, përfshirë gratë dhe familjet me një prind. Përveç kësaj, 733 milionë lekë do të përdoren për të zbatuar 2900 urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje. Megjithatë, rritja e investimeve mbetet thelbësore për të zgjeruar përpjekjet për parandalimin e dhunës si dhe shërbimet mbështetëse për të mbijetuarat.

Agjencitë e OKB-së në Shqipëri, në kuadër të Programit të Përbashkët për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, i mbështetur nga Suedia, dhe së fundmi nga Britania e Madhe, kanë ndihmuar mbi 1000 të mbijetuara gjatë vitit 2024 me ndihmë ligjore falas, këshillim psikologjik dhe shërbime riintegrimi. 650 anëtarë të Mekanizmave të Koordinuar të Referimit në nivel lokal, janë më të aftë për t’iu përgjigjur nevojave të të mbijetuarave të dhunës dhe grave në rrezik abuzimi. Agjencitë e OKB-së kanë mbështetur gjithashtu përfshirjen e qindra aktivistëve të rinj për të sfiduar normat konservatore dhe stereotipet mbi rolet gjinore, të cilat vazhdojnë të nxisin abuzimin.

“Dhuna me bazë gjinore vazhdon të jetë e përhapur, në Shqipëri dhe kudo tjetër. Asnjë vend në botë nuk është afër eliminimit. Dhuna jo vetëm që ka pasoja negative për gratë, por edhe për familjet, komunitetet dhe shoqërinë në tërësi. Ajo ka kosto të mëdha, duke filluar nga shpenzimet më të larta për kujdes shëndetësor dhe juridik, deri te humbjet në produktivitet, duke ndikuar buxhetet kombëtare dhe zhvillimin e përgjithshëm,” tha Fiona McCluney, Koordinatore e Përhershme e OKB-së në Shqipëri, në hapje të fushatës.

/ rtsh.al /