RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Afrim Gashi zgjidhet kryetar i Kuvendit maqedonas, Ali Ahmeti ulet mes opozitës pas 16 vitesh

28/05/2024

Afrim Gashi zgjidhet kryetar i Kuvendit maqedonas, Ali Ahmeti ulet mes opozitës pas 16 vitesh

Afrim Gashi është zgjedhur kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, në një seancë konstitutive ku një pjesë e opozitës tregoi rezistencë dhe e bojkotoi votimin e tij.

Ish-kryetari i Alternativës mori 76 vota pro dhe vetëm 6 kundër nga Kuvendi me 116 deputetë të regjistruar. Deputeti nga radhët e VLEN-it ishte propozuar nga 75 deputetë për kryetar, por përfaqësuesit e Frontit Evropian e braktisën seancën kur çështja u hodh për diskutim.

Bëhet fjalë për një kandidat shqiptar. Ne si Aleancë asokohe kemi dëshmuar duke e mbështetur kandidaturën e Talat Xhaferit si kandidat për kryetar Kuvendi. Konsideroj se edhe atë e kanë si obligim moral që të japin mbështetje ndaj Afrim Gashit,” tha deputeti Rijad Shaqiri i VLEN duke komentuar vendimin e Frontit.

Kundër zgjedhjes së Gashit për kryeparlamentar u deklarua Dimitar Apasievi nga "E majta". 

"Pritshmëritë janë për kosovarizimin e shtetit… Ne do e mbështesnim nëse kryetari i Kuvendit nuk do të ishte shqiptar, prandaj i bëjmë thirrje Mickoskit të mos e kosovarizojë përsëri Kuvendin maqedonas,” tha z. Apasiev.

Në zgjedhjet e 8 Majit, koalicioni "Maqedonia Juaj" e ish-kreut të opozitës Hristijan Mickoski nga VMRO-DPMNE fitoi 58 nga 120 mandate të mundshme, ndërsa LSDM-ja e Dimitar Kovaçevskit mori 18 mandate, aq sa Fronti Evropian i Ali Ahmetit. Më herët Bilall Kasami, i cili drejton komunën e Tetovës, hoqi dorë nga mandati parlamentar.

Ahmeti u ul nga ana e opozitës për herë të parë pas 16 vitesh, kur BDI-ja e tij arriti aleancë për qeverinë. Ai u bë deputet në vitin 2002.

"Sot është ditë feste për gjithë popullin maqedonas," tha deputeti opozitar Mile Lefkov, duke iu referuar Ahmetit dhe aftësisë së tij politike për të qëndruar në kabinetet e njëpasnjëshme të qeverive maqedonase.

Seanca konstitutive e së martës u udhëhoq nga deputetja më e moshuar, Merita Kollçi Koxhaxhiku.

Me konstatimin e kuorumit u zgjodh përbërja e Komisionit Verifikues të Mandateve.

Rregullorja e parlamentit maqedonas parashikon që seanca konstitutive të zgjasë deri në tri ditë, ndërsa 10 ditë pas konstituimit presidentja e shtetit duhet të japë mandatin për formimin e qeverisë.

/rtsh.al/