RTSH 24 Live

Aktualitet

8 Marsi i munguar për 4 gra e vajza shqiptare

08/03/2023

8 Marsi i munguar për 4 gra e vajza shqiptare

Në këtë 8 mars, 4 gra e vajza në vendin tonë, nuk kanë mundur dot të festojnë apo ngrenë zërin për të drejtat e tyre, pasi meshkujt kanë qenë ata që vendosën t’i largonin nga jeta. Nga janari i këtij viti deri tani, 4 gra e vajza nga Tirana u qëlluan për vdekje me armë apo mjete rrethanore nga meshkujt. Në 10-vjeçarin e fundit në Shqipëri janë vrarë 150 vajza.

Ky 8-Mars, që njihet si Dita Ndërkombëtare e Gruas, nuk i gjeti më pranë familjeve të tyre 4 gra e vajza, të cilat humbën jetën në mënyrë tragjike në vendin tonë, vetëm në pak më shumë se dy muaj. 

Mevlute Hysa 30-vjeçare dhe Hasime Dafku 26 vjeçare ishin duke larë automjetin në oborrin e shtëpisë së tyre, kur papritur brenda tij futet ish-bashkëjetuesi i vajzës së shtëpisë, Dan Hutra, i cili përmes përdorimit të armës së zjarrit kallashnikov i ekzekutoi ndërsa la të plagosura ish-gruan e tij, Elena Hysa dhe nënën e saj, Kujtime Hysa, 60 vjeç.

Po nga dora e tij, në po të njëjtë ditë, mbeti e vdekur edhe 31-vjeçaja Etleva Kurti, e cila u gjet e vrarë me armë zjarri në derën e shtëpisë, ku Hutra e qëlloi në shenjë hakmarrje ndaj vëllait të saj, por plagosi edhe ish-të dashurën, Marjana Gurakuqi.

Ndërsa në fund të muajit janar, një vrasje e dyfishtë ndodhi brenda një familje në fshatin Tervol të Gramshit, ku bashkëshorti vrau gruan dhe vëllain e tij, Zeqine Sinani dhe Shaqir Sinani. Krimi u krye me sende të forta.

Përgjatë vitit 2022 janë vrarë dhjetë gra nga bashkëshortët apo bashkëjetuesit e tyre, ndërsa po në këtë vit ka pasur mbi 4000 denoncime të dhunës në familje.

Në 10-vjeçarin e fundit në Shqipëri janë vrarë 150 vajza, ku fati i tyre tragjik si dhe numri në rritje i denoncimeve për dhunë ndaj grave e vajzave, mbetet një kambanë alarmi për shoqërinë dhe institucionet.

Gazetare: Flutura Tota

/RTSH/