RTSH 24 Live

Botë

7 ditë zie kombëtare në Korenë e Jugut - Avioni u përplas me murin, 179 humbje jete, dy të mbijetuar

29/12/2024

7 ditë zie kombëtare në Korenë e Jugut - Avioni u përplas me murin, 179 humbje jete, dy të mbijetuar

Koreja e Jugut shpalli 7 ditë zie kombëtare deri më 4 janar për 179 personat e vrarë në  aksidentin ajror më i rëndë ndonjëherë në tokën e këtij vendi. Presidenti në detyrë i Koresë së Jugut Choi Sang-mok, i cili mori detyrën vetëm të premten, thirri një mbledhje urgjente të kabinetit dhe më pas vizitoi vendin e përplasjes në Muan.

"E gjithë qeveria po punon ngushtë për të menaxhuar pasojat e aksidentit”- tha ai. Autoritetet deklaruan se goditja nga një tufë zogjsh mund të ishte shkaku i mundshëm i kësaj fatkeqësie. Pamjet e publikuara pas aksidentit tregojnë avionin e Jeju Air duke rrëshqitur pa mundur të hapë rrotat, përpara se të shpërthente në flakë, ndërsa u përplas me një mur në Aeroportin Ndërkombëtar të Muanit mëngjesin e së dielës.

Dy anëtarë të ekuipazhit, një burrë dhe një grua që ndodheshin në pjesën e bishtit të avionit, i mbijetuan aksidentit tragjik, - tha shërbimi zjarrfikës në Muan. Disa orë pas ngjarjes, familjarët e pasagjerëve u mblodhën në aeroport, ndërsa iu kërkua të jepnin detaje për të afërmit që kishin në avion. “Nga 179 viktimat, 65 janë identifikuar” – njoftoi shërbimi zjarrfikës, duke shtuar se kishte nisur identifikimi i viktimave përmes ADN-së.

Të dy kutitë e zeza, regjistruesi i të dhënave të fluturimit dhe regjistruesi i zërit të kabinës, janë gjetur - tha Ministria e Transportit. Avioni me 181 pasagjerë, përfshi edhe 6 anëtarë të ekuipazhit udhëtonte nga Tajlanda në Korenë e Jugut. Të gjithë pasagjerët ishin koreanë, përveç dy tajlandezëve, me i riu një trevjeçar dhe më i vjetri një 78 vjeçar, thanë autoritetet.

/RTSH/