60 mijë abonentë familjarë në qarkun Shkodër, muajin e ardhshëm do të faturohen me çmimin e ri të zbritur të energjisë elektrike.
Drejtori rajonal i OSHEE, Armando Zhuka, tregon se nga kjo ulje nuk përfitojnë abonentët e biznesit.
Ai tregon se gjatë këtij viti janë parashikuar një serë investimesh, veçanërisht në linjat e vjetra.
"Ne do të vazhdojmë të investojmë në linjat e vjetra, që të mos ketë as shkëputje energjie, as rrezikshmëri. Pra, ato investime që janë bërë në Theth, Vermosh, Lëpushë dhe në zonat bregdetare do të vazhdojnë në zonat e tjera," thotë z. Zhuka.
Investimet në zonat turistike, si Theth dhe Vermosh, ndikuan pozitivisht gjatë fillim vitit kur defektet si shkak i stuhive të forta ishin më të pakta.
Por zonat periferike, si njësia administrative Rrethina apo zona të bashkisë Vau Dejës, vijojnë të vuajnë nga amortizimi i linjave, çka solli edhe shkëputje të energjisë në ditët e para të janarit.
Gazetar: M. Gjoni
/rtsh.al/