“Çdo vit që kalon, shton barrën e turpit mbi këdo që duhet të japë drejtësinë e munguar”, kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama duke iu referuar tragjedisë së 21 Janarit të 2011-ës, ku 4 protestues u qëlluan për vdekje para Kryeministrisë.
Vonesa prej 14 vitesh në vendosjen e drejtësisë për viktimat dhe familjarët e të ndjerëve, për kreun e qeverisë nuk është tjetër veçse njollosje e Reformës së Drejtësisë. Ai shton se, drejtësia për 21 Janarin, është një drejtësi për Shqipërinë e sotme dhe të nesërmen.
“Çfarë mund të them për drejtësinë për 21 janarin? A kam gjëra për të thënë. Kam aq shumë sa nuk mund tua tregoj dot, por edhe sot do t’i rri besnik qëndrimit për të mos bërë komente, duke uruar dhe dashur të besoj se SPAK-u nuk do të jetë edhe për shumë kohë i zënë me gjithçka tjetër, përveçse me 21 janarin, i cili për më tepër është edhe një rast i qartë si drita e diellit dhe prandaj çdo vit që kalon, jo vetëm shton barrën e turpit mbi këdo që duhet të japë drejtësinë e munguar, po njollos edhe vetë Reformën në Drejtësi, duke poshtëruar, jo vetëm familjet e dëshmorëve të 21 janarit, po një popull të tërë që do drejtësi për 21 janarin dhe meriton drejtësi për 21 janarin sepse drejtësia për 21 janarin është një drejtësi, jo thjesht për një ngjarje të djeshme, por për Shqipërinë e sotme dhe të nesërmen”, deklaron Rama në rrjetin social Facebook, duke iu përgjigjur akuzave të disa prej komentuesve në lidhje me moszbardhjen e tragjedisë.
Rama garanton se qeveria e tij ka bërë një betejë historike epokale sa i përket drejtësisë për pavarësimin e saj nga pushteti politik.
Sot shënohen 14 vite nga 21 Janari, kur gjatë protestës së opozitës, asokohe Partia Socialiste, mbetën të vrarë katër protestuesit Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.
/rtsh.al/