Kjo e enjte (5 shtator) shënon 8-vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës nga Papa Françesku.
Në vitin 2016, Papa duke lexuar formulën e shenjtë në emër të Zotit, shpalli Nënë Terezën shenjtore, duke e quajtur Shën Tereza.
Shenjtërimi i Nënë Terezës, më 4 shtator 2016, e bëri murgeshën shqiptare të pavdekshme në sytë e katolikëve, por edhe të gjithë botës. Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, emër të cilin e ndërroi në Nënë Tereza, lindi më 1910 nga prindër shqiptarë. Në moshën 18-vjeçare ajo u largua nga Shkupi, Maqedonia e Veriut, për t'ju bashkuar Motrave Loreto në Irlandë, dhe prej asaj dite nuk do i shihte më prindërit.
Misioni i saj u transferua në Kalkutë. Aty ajo ndjeu se kish në ardhur në botë për t'u shërbyer të varfërve dhe njerëzve në fund të jetës në rrugët e qytetin indian.
"Me gjak jam shqiptare. Me nënshtetësi jam indiane. Me besim jam murgeshë katolike. Zanati im është që t'i përkas botës. Ndërsa zemra ime i takon e tëra Zemrës së Jezusit," do të shprehej Nënë Tereza.
Ajo e vizitoi Shqipërinë për herë të parë në gusht të vitit 1989, ndërkohë që dhjetë vite më herët, në 1979-ën, fitoi Çmimin Nobel për Paqe.
5 Shtatori është festë zyrtare në Shqipëri.
Këshilli i Ministrave miratoi një ndryshim në ligjin “Për festat zyrtare” në vend, sipas të cilit data 19 shtator që është Dita e Lumturimit të Nënë Terezës, të zëvendësohej me datën 5 shtator, me Ditën e Shenjtërimit të saj.
Gjatë jetës së saj, Nënë Tereza ka marrë më shumë se 700 çmime për punën e saj bamirëse dhe është personi më i vlerësuar në shekullin XX.
Çmimet më të rëndësishme:
- 11 gusht 1962 - Çmimi Padma Shri, nga Presidenti i Indisë
- 31 gusht 1962 - Çmimi Ramon Magsaysay, në Filipine
- 6 janar 1971 - Papa Pali VI i dhuron asaj Çmimin e Paqes Papa Gjon XXIII.
- 16 tetor 1971 – John f. Çmimi Ndërkombëtar Kennedy
- 15 nëntor 1972 - Çmimi Jawaharlal Nehru
- 25 Prill 1973 – Çmimi Templeton për përpjekjet e saj të jashtëzakonshme për të ndihmuar fëmijët e pastrehë dhe të lënë pas dore të Kalkutës
- 1977 – Doktor Nderi në Teologji, Universiteti i Kembrixhit, Angli
- 1978 – Çmimi nga Fondacioni Balzan për humanizëm dhe paqe mes popujve
- 10 dhjetor 1979 - Çmimi Nobel për Paqen
- 22 mars 1980 - Çmimi Bharat Ratna (Xhevahiri i Indisë)
- 27 qershor 1980 – Dhurohet me Medaljen e Meritave të qytetit të Shkupit
- 24 tetor 1983 - Mbretëresha Elizabeth II i jep asaj Urdhrin e Meritës
- 1985 - Presidenti i SHBA Ronald Reagan i dhuron asaj medaljen Presidenciale të Lirisë
- 1996 – Qytetar Nderi i SHBA
- 5 qershor 1997 - Medalja e Artë e Kongresit të Shteteve të Bashkuara
/rtsh.al/