RTSH 24 Live

Sociale

4200 viktima të dhunës përfituan mbështetje gjatë vitit

10 orë para

4200 viktima të dhunës përfituan mbështetje gjatë vitit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha të mërkurën gjatë aktivitetit të organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, me temë “Dhuna me bazë gjinore në hapësirën dixhitale”, se fenomeni i dhunës në Shqipëri, po përshkallëzohet si pasojë e efekteve të botës dixhitale në këtë fenomen. 

Në kuadër të fushatës së 16 ditëve të Aktivizimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, zonja Koçiu tha se fatkeqësisht gratë janë më të ekspozuara.

“Në Shqipëri, si rezultat edhe i anketimeve, gjysma e grave dhe vajzave kanë përjetuar të paktën një episod dhune në jetën e tyre, qoftë fizike, psikologjike apo seksuale. Këto janë të dhëna të papranueshme, por që fatkeqësisht bota dixhitale shpesh i përshkallëzon" tha ministrja Koçiu.

Sipas saj "Dhuna dixhitale dhe psikologjike është një problem global, nuk është një fenomen që ndodh vetëm në Shqipëri, por shpesh ajo ka dimensione të fshehta që është i vështirë për t’u kapur në kohë dhe për t’u trajtuar”, tha Koçiu.

“Në Shqipëri, në kuadër të strategjisë kombëtare për barazinë gjinore 2021-2030, kemi vendosur të ndërmarrim masa të forta për të trajtuar të gjitha format e dhunës me bazë gjinore, përfshirë edhe ato nga teknologjia" tha zonja Koçiu.

Sipas saj  4200 viktima të dhunës kanë përfituar mbështetje gjatë vitit 2024, ndërsa në bashkëpunim me partnerët janë përforcuar programet e ndërgjegjësimit. 

Sipas ATSH

/ rtsh.al /