40 shtete, mes tyre edhe Mbretëria e Bashkuar, kanë dënuar fuqishëm sulmet izraelite ndaj paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara në Liban.
Në një deklaratë të përbashkët vendet thonë se sulmet ndaj Forcave të Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) "duhet të ndalojnë menjëherë dhe duhet të hetohen në mënyrë adekuate".
"Ne e konsiderojmë rolin e UNIFIL si veçanërisht vendimtar në dritën e situatës në rritje në rajon," shton deklarata.
Gjatë sulmeve dy paqeruajtës u plagosën duke rënë nga një kullë vëzhgimi pasi tanket izraelite qëlluan drejt saj. Gjithashtu Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) pranuan se trupat e saj ishin përgjegjëse për një incident në të cilin dy ushtarë të Sri Lankës u plagosën.
Kombet e Bashkuara thanë se një tjetër paqeruajtës u plagos nga të shtënat me armë në jug të premten, megjithëse shtoi se nuk e dinte origjinën e sulmit.
Përtej dënimit të sulmeve izraelite ndaj paqeruajtësve të OKB-së, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka bërë thirrje shefit të OKB-së Antonio Guterres që të largojë menjëherë forcat paqeruajtëse në Libanin jugor.
"Zoti Sekretar i Përgjithshëm, largoni forcat UNIFIL nga rreziku. Kjo duhet të bëhet menjëherë," tha Netanyahu në një deklaratë video të lëshuar nga zyra e tij.
Më herët Izraeli e shpalli shefin e OKB-së Antonio Guterres persona non grata.
/rtsh.al/