Fitorja do ta lironte ish-presidentin Donald Trump nga çështjet penale që rëndojnë mbi të, ndërsëa humbja ndaj zëvendëspresidentes rivale demokrate Kamala Harris do të thotë se ai duhet të përballet me drejtësinë.
“Duke lënë mënjanë politikën, Donald Trump rrezikon shumë ligjërisht”, në zgjedhjet e 5 nëntorit, tha ish-prokurorja federale Neama Rahmani për Business Insider.
Po çfarë do të ndodhë me katër çështjet penale që rëndojnë ndaj Donald Trump – dy federale dhe dy shtetërore – nëse ai fiton ose humbet zgjedhjet presidenciale.
Rasti i parave në Nju Jork
Pavarësisht nëse Trump fiton apo humbet zgjedhjet, ai do të ketë në kalendarin e tij një datë ku do të përballet me drejtësinë në Manhattan më 26 nëntor.
Trump, presidenti i parë i SHBA-së i dënuar për një krim, mund të përballet me burgim deri në katër vjet për akuzat që rëndojnë ndaj tij për vendimin e marrë në muajin maj.
Mbi të rëndojnë 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit për të mbuluar pagesën e tij prej 130 mijë dollarësh për aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels.
Ka disa mundësi që ajo datë të shtyhet. Trump ka premtuar se do të luftojë në apel ndaj aktakuzës ndaj tij.
Ai do të argumentojë se provat në këtë rast përfshijnë akte që janë kryer në rolin e tij zyrtar si president - prova që janë të ndaluara sipas vendimit historik që u mor në muajin korrik të Gjykatës së Lartë të SHBA-së për imunitetin presidencial.
Fitorja e zgjedhjeve do të bënte që Trump të justifikohej se është shumë i zënë me drejtimin e vendit sesa të merret me çështjet e tij ligjore.
Profesori i Fakultetit Juridik të Cornell, Michael Dorf tha se ka të ngjarë që nëse Trump rifitonte Shtëpinë e Bardhë, ai do të paraqiste menjëherë dokumentet gjyqësore për të shtyrë dënimin derisa të mos jetë më president.
Çështjet federale të Trump
Trump ka dy aktakuza federale, të dyja të ngritura nga këshilltari special Jack Smith, dhe të dyja kanë të drejtë për falje presidenciale.
Nëse rizgjidhet president, Trump mund t'i kërkojë prokurorit të tij të përgjithshëm të shkarkojë Smithin. Ai gjithashtu mund t'u kërkojë gjykatave të ndalojnë ndjekjet federale pasi ekziston një politikë e gjatë e Departamentit të Drejtësisë që një president në detyrë nuk mund të ndiqet penalisht gjatë kohës që është në detyrë. Trump tha në një intervistë muajin e kaluar se nëse zgjidhej, ai do ta pushonte Smithin "brenda dy sekondave".
Trump është deklaruar i pafajshëm për të dy aktakuzat federale. Në përgjigje të një kërkese për koment, zëdhënësi i fushatës së Trumpit, Steven Cheung tha: “Gjuetia e shtrigave si Kamala Harris - Joe Biden kundër Presidentit Trump kanë shpërthyer ashtu si fushata e tyre e dështuar”
Rasti i ndërhyrjes në zgjedhjet federale
Nëse Trump humbet, kjo nuk do të thotë se ndjekja penale nga Smith do të realizohet shpejt për akuzat mbi trazirat në kontestimin e zgjedhjeve të vitit 2020.
Ekspertët parashikojnë se Donald Trump do të vazhdojë të sfidojë të ashtuquajturën çështje të ndërhyrjes në zgjedhje për shkak të imunitetit presidencial.
Në korrik, Gjykata e Lartë e SHBA nxori një opinion historik që u siguron presidentëve mbrojtje të gjerë nga ndjekja penale për aktet e tyre zyrtare.
Sipas opinionit, ndalohet gjithashtu përdorimi i provave të aktit zyrtar në çdo ndjekje penale të një ish-presidenti, edhe për akuza që nuk kanë të bëjnë me akte zyrtare.
Rasti i dokumenteve të klasifikuara federale
Çështja e dokumenteve të klasifikuara të Donald Trump, ku pretendohet se ai ka marrë me vete sekretet qeveritare nga Shtëpia e Bardhë, u hodh poshtë në korrik nga gjyqtarja e emëruar nga Trump, Aileen Cannon, e cila tha se emërimi i Smith shkelte Kushtetutën.
Rasti i ndërhyrjes në zgjedhje në Xhorxhia
Çështja e ndërhyrjes zgjedhore në Xhorxhia kundër Trumpit dhe 18 aleatëve të tij ka zënë pluhur, kjo falë përpjekjeve të të pandehurve për të skualifikuar prokurorin e qarkut Fulton, Fani Willis, nga çështja shtetërore.
Në maj, një gjykatë apeli në Xhorxhia ra dakord të shqyrtonte ofertën e Trumpit për të hequr Ëillis nga çështja.
Avokatët e Trump dhe të bashkëpandehurve të tij argumentuan më parë në një mocion për të skualifikuar Willis se ajo kishte konflikt interesi në këtë çështje, sepse ajo përfitoi në mënyrë të pahijshme nga një marrëdhënie romantike me Nathan Wade, avokatin e Atlantës që ajo punësoi si prokurore speciale.
Trump është deklaruar i pafajshëm për aktakuzën e rastit të Xhorxhias
“Nëse Trump fiton Shtëpinë e Bardhë, ai mund të paraqesë menjëherë dokumente në gjykatën e shtetit të Xhorxhias duke thënë se dosja të qëndrojë në pritje pasi është president, pasi nuk është në përputhje me supremacinë federale”, shprehen ekspertët e ligjit.
“Ai nuk i kontrollon prokurorët, kështu që nuk mund t'i pushojë nga puna dhe ai nuk mund të falë veten sepse këto janë krime shtetërore, kështu që e vetmja mundësi e tij realisht në çështjet shtetërore është pezullimi i tyre”, tha Dorf. Nëse Trump humb zgjedhjet, dosjet mund të çohen përpara.
/rtsh.al/