RTSH 24 Live

Aktualitet

320- 440 milionë euro për fazën e parë të Porto Romanos, Vengu: Synojmë ndërtimin për 3 vjet

21/11/2022

320- 440 milionë euro për fazën e parë të Porto Romanos, Vengu: Synojmë ndërtimin për 3 vjet

Planet për ndërtimin e Portit të ri tregtar në Porto Romano, janë bërë shumë konkrete, pasi studio hollandeze Royal Haskoning është drejt fundit të studimit inxhinierik për të.

Drejtori i Portit të Durrësit, Pirro Vengu, sqaron se ndërtimi do të ketë dy faza, që synojnë të kthejnë Porto Romanon në një port modern tregtar rajonal.

“Punimet parashikohen të zgjasin 3 vite dhe të fillojnë në fund të 6 mujorit të parë të vitit që vjen. Faza e parë parashikon zhvendosjen e terminalit të kontenierëve. Mund t’ju jap një vlerë paraprake që fillon nga 320- 440 milionë euro për fazën e parë. Është kosto që do të përballohet nga të ardhurat që gjenerohen përmes këtij projekti dhe Autoritetit Portual, jo buxhetit të shtetit” - tha zoti Vengu.

Qeveria parashikon që gjatë fazës së parë, brenda 15-20 viteve nga ndërtimi”, Porto Romano të marrë një zhvillim të madh. “Në këtë fazë kemi trefishim të kapaciteteve aktuale të Portit të Durrësit. Ne sot bëjmë 5 milionë ton, në fazën e parë në Porto Romano do të bëjmë 15 milionë ton. Ne bëjmë 170 mijë njësi kontenierike sot, do të bëjmë 3 fishin atje. Faza e dytë ka të bëjë me zgjerimin e aktivitetit. Do të jetë një vendmmarrje që do të vijë në një kohë të dytë.”

Drejtori i Portit të Durrësit tregoi edhe planet për terminal aktual të trageteve në Durrës dhe sesi mund të përfshihet NATO në ndërtimin e pjesës ushtarake në Porto Romano.

PJESË NGA INTERVISTA

Elona Meço: Çfarë do të ndodhë me Terminalin e Trageteve, do të zhvendoset? 

Pirro Vengu: Maketi paraqet idealisht sesi duhet të shkojë projekti. Për terminalin e trageteve është parashikuar të ketë zhvendosje dhe do të përshtatet bashkë me kroçerat për të patur edhe një akses më të lehtë në qytet, jo siç është aktualisht. Në fazën e parë, ne nuk do ta prekin terminalin e trageteve. Do të qendrojë aty ku është, pasi kemi edhe detyrime kontraktore. Ka një propozim teknik të investitorit privat për të bërë këtë zhvendosje. Në kontratë, ka një dispozitë që nuk mund të merren vendine përsa i përket trageteve pa vendimarrjen shtetërore dhe konsultimin e të gjithë operatorëve portualë dhe kjo është diçka shumë e mirë që kemi arritur në negociata. 

Elona Meço: Dhe është e sigurtë që Terminali i Trageteve do të mbetet në Durrës, në qytet dhe jo në Porto Romano?

Pirro Vengu: Për një fazë të parë pa asnjë dyshim. Unë kam bindjen personale se do të jetë edhe më gjatë se faza e parë. Kjo ka të  bëjë edhe me vlerësimin e vijueshmërisë ekonomike të të gjithë zhvillimit, ka të bëjë me konsiderata që lidhen përtej të ardhurave apo përfitimit. Ka te bëjë me një të mirë publike dhe ne do të tregohemi shumë të kujdesshëm.

Elona Meço: Dëgjova Ministren që pohoi në një nga komisionet parlamentare  se kompania hollandeze ka përfunduar fazën e parë të studimit për Porto Romanon. Sa kushton? Me kë po negociohet për finacimet?

Pirro Vengu: Kemi një vit që punojmë me studion hollandeze, të specializuar në ndërtimin e porteve të këtyre përmasave. Jemi duke përfunduar fazën e detajimit inxhinierik, që na jep mundësinë që në fillim të vitit që vjen, ne të dalim me një tender ndërkombëtar për ndërtimin e  fazës së parë. Punimet parashikohen të zgjasin 3 vite dhe të fillojnë në fund të 6 mujorit të parë të vitit që vjen. Faza e parë parashikon zhvendosjen e terminalit të kontenierëve, pra përpunimit të kontenierëve, aty është thelbi i aktivitetit ekonomik të Portit të Durrësit. Kostot janë duke u përcaktuar dhe finalizuar. Mund t’ju jap një vlerë paraprake që fillon nga 320- 440 milionë euro për fazën 1, që na çon deri tek faza e dytë. Mund t’ju duket kosto e konsiderueshme, por është kosto që do të përballohet nga të ardhurat që gjenerohen përmes këtij projekti dhe Autoritetit Portual, jo buxhetit të shtetit. Patjetër që janë fonde publike, por detyra jonë është të bëjmë të tilla investime.

Elona Meço: Faza e dytë e Porto Romanos çfarë parashikon?

Pirro Vengu: Faza e dytë parashikon zgjerim të terminaleve, të kapaciteteve, zgjerim të hapësirave. Sot e kësaj dite 30% e ngarkesave që përpunohen në Portin e Durrësit vijnë nga Kosova. Ne kemi synimin që deri në 2025-ën, 10% e këtyre ngarkesave të jenë edhe nga Maqedonia e Veriut. Pra, është një port që po merr vëmendje rajonale. Porto Romano është një nga arsyet pse transferojmë atje aktivitetin tregtar dhe mbajmë një port turistik, pasagjerësh, kroçerash në qytetin e Durrësit. Pra 2 porte, ku porti tregtar të bëhet një port rajonal dhe jo thjesht një port ngarkim-shkarkimi, jo sa shkarkohet malli, shikon rrugën e qytetit, por të kemi një port që ofron kapacitete logjistike, magazinimi, përpunimi, në mënyrë qe të jemi tërheqës edhe për veprimtari që importojnë mallrat, krijojnë vlerën e shtuar në ambjent portual dhe eksportojmë, po ashtu, në rrugë detare. 

Elona Meço: Sa vite zgjat faza e dytë?

Pirro Vengu: Së pari, faza e parë mbulon aktivitetin  tonë të synuar sipas projeksionit, pra ajo që do të ndërtohet në 3 vite, mbulon kapacitetet e nevojshme të Shqipërisë dhe të rajonit për një 15-20 vjeçar. Në këtë fazë kemi trefishim të kapaciteteve aktuale të Portit të Durrësit. Ne sot bëjmë 5 milionë ton, në fazën e parë në Porto Romano do të bëjmë 15 milionë ton. Ne bëjmë 170 mijë njësi kontenierike sot, do të bëjmë 3 fishin atje. Faza e dytë ka të bëjë me zgjerimin e aktivitetit. Do të jetë një vendmmarrje që do të vijë në një kohë të dytë. 

Elona Meço: Pra ky trefishim do të zgjasë për rreth 15 vite. Kjo është faza e parë. 

Pirro Vengu: Patjetër. Ne nuk do të hedhim para publike pa patur një qartësi të ecurisë logjistike të rajonit, të portit të thatë në Kosovë, komponent i rëndësishëm i kësaj pjese. Pra Porto Romano është një port strategjik dhe kemi edhe komponentin e NATO-s me bazën detare stje. 

Elona Meço: Si përfshihet NATO në këtë projekt?

Pirro Vengu: Shqipëria po përfshihet prej disa vitesh në organizimin dhe pjesëmarjen në stërvitje ndërkombëtare. Është në fakt një nevojë e vetë forcave tona të armatosura, që të kenë për forcën tonë detare, kapacitet të mirëfilltë, nje bazë të mirëfilltë, akomodim të mirëfilltë të gjithë flotës sonë. Ajo sot është pak e shpërndarë, nuk ka kapacitetet e duhura nga ana infrastrukturore. Kur Shqipëria bëri stërvitjen Europe Defender ‘21, na u desh të pezullonim 1/3-ën e aktivitet tregtar të Portit të Durrësit për 6 muaj. Pra, këto ishin kapacitetet e infrastrukturës ushtarake detare të Shqipërisë. Duhej të ndërprisnim aktivitetin tregtar që të lejonim një organizim ndërkombëtar ushtarak. Duke qenë se do të investojmë në infrastrukturë të re, do të ketë thellësi të re në Porto Romano, kanal të dedikuar me përmasa shumë më të thella se aktualisht, do të shkojmë deri në 15 metra thellësi. Pra, ka një infrastrukturë parësore që do të jetë gati për të akomoduar edhe një infrastrukturë ushtarake edhe kjo për fazën e parë.

Elona Meço: NATO financon këtu?

Pirro Vengu: NATO ka disa mënyra. NATO nund të bashkëfinancojë, NATO mund edhe të rimbursojë. Përtej takimeve në nivel drejtues dhe nivel politik ku kryeMinistri, sekretari i Përgjithshëm dhe zëvendëskryeministrja kanë bërë prezantimet paraprake në Bruksel, në shtator, kemi patur dhe një vizitë të komandës detare të NATO-s nga Britania e Madhe që ka ardhur ta shohë Porto Romanon. Jemi duke detajuar komponentët inxhinierikë, në mënyrë që të mos jetë thjesht infrastrukturë e vlefshme vetëm për ne, por të jetë e vlefshme edhe për Aleancën.

Elona Meço: Çfarë ndodh me kontratat koncesionare në Portin e Durrësit, ka rrezik arbitrazhi?

Pirro Vengu: Jo! Kontratat koncesionare do të respektohen. Operatorët aktuale ekzistues të gjithë presin, prej vitesh në fakt, që të ndodhë zhvillimi i portit tregtar në Porto Romano, i cili është përcaktuar prej më shumë se një dekade si një zonë industriake edhe nga qeveria e mëparshme. Ajo që po ndodh është që shteti shqiptar ka një vijimësi, ka një strategji kombëtare dhe kjo strategji po jetësohet.

Elona Meço: E pengon projektin ankimimi në Gjykatë Kushtetuese nga opozita, e cila ngre mohimin e parimit kushtetues të konkurencëss së lirë si problem kryesor ?

Pirro Vengu: Nuk jam jurist, por jam i bindur që këtu kemi të bëjmë me një investim ku shteti ka përfitim malsimal, ku mbrohen interesat shtetërorë dhe kemi të bëjmë me një investim, jo cënim të ndonjë parimi kushtetues. Kemi të bëjmë me rolin e shtetit që zhvillon një pronë dhe një të mirë, në funksion të ridimensioninit të dy porteve në Durrës. 

/rtsh.al/