RTSH 24 Live

Sociale

3 vite punë me detyrim për mjekët e rinj, qeveria reflekton propozimet e Kushtetueses

16/09/2024

3 vite punë me detyrim për mjekët e rinj, qeveria reflekton propozimet e Kushtetueses

Pas ndryshimeve të propozuara nga Gjykata kushtetuese për projekt-ligjin e studentëve të mjekësisë, ky i fundit ka kaluar sot me procedurë të përshpejtuar për diskutim në komisionet e edukimit dhe atë të shëndetësisë. Propozimet parashikojnë uljen e numrit të viteve të punësimit të detyruar ne vend pas diplomimit nga 5, 3 dhe 2 vite që ishte, në 3 vite për ata që janë  në vitin e parë këtë vit dhe pastaj kalon në dy vite dhe 1 vit angazhim për ata studentë që tashmë janë në vit të 5-të dhe të 6-të.

Në qoftë se qeveria e kishte planifikuar 5 vjet, Gjykata thotë jo 5, por 3. Nëse koha e pritjes kalon mbi 3 muaj dhe studenti i punësuar në bazë të mesatares së arritur, kush ka mesataren më të mirë mund të zgjedhë dhe kjo është transparenca dhe meritokracia

Ndryshimi tjetër ka të bëjë me garantimin e punësimit të tyre brenda 3 muajve të parë pas diplomimit si dhe shpërblimi nëse kjo nuk ndodh.

Nëse kjo nuk do të ndodhë brenda 3 muajve të parë, këta mjekë do të paguhen me 80% të pagës të mjekut të përgjithshëm, ose mund të zgjedhin të punësohen në institucione private shëndetësore, por gjithmonë duke ruajtur të drejtën e punësimit prioritar. Kjo, deri sa të plotësohet afati 1-vjeçar dhe ata të lirohen nga përgjegjësia që kanë

Studentët e Mjekësisë përmes një shkrese drejtuar Kuvendit, kërkojnë anulimin e projektligjit dhe zëvendësimin e tij me një projektligj që të nxisë motivimin e tyre të qëndrojnë në Shqipëri. Ata kanë kërkuar që për shkak te nevojave të larta, dega e Mjekësisë së Përgjithshme  të kthehet në degë prioritare dhe studentët të trajtohen më pagë minimale gjatë kohës së studimit, si dhe të dyfishohen pagesat e shërbimeve të mjekëve roje në QSUT pasi shpesh kjo barrë mbahet nga mjekët specializantë.

Mbetet për t’u parë nëse këto ndryshime do të kalojnë në parlament dhe cili do të jetë reagimi i studentëve të cilët, edhe një vit më parë kundërshtuan projektligjin me protesta dhe bojkot.

Letra e plotë si më poshtë:

Të nderuar,

Ne, studentët e degës Mjekësi e Përgjithshme të Fakultetit të Mjekësisë, të Universitetit të Mjekësisë Tiranë, kërkojmë për herë të disatë anulimin e këtij projektligji, dhe zëvendësimin e tij me një projektligj tjetër i cili ka si synim nxitjen e motivimin e studentëve dhe mjekëve për të qëndruar në Shqipëri, dhe jo detyrimin e tyre.

Më poshtë po ju renditim disa nga propozimet tona:

  1. Propozime në lidhje me zëvendësimin e Projektligjit
  2. *Dega Mjekësi e Përgjithshme të bëhet degë prioritare, ku çdo student të marrë pagesë mujore sa paga minimale, ku pragu i mesatares të ulet në 8.5.
  3. Propozime në lidhje me ndryshime në sistemin shëndetësor, të cilat do frenonin largimin e mjekëve
  4. Gjatë periudhës së stazhit, të paguhet 50% e pagës së mjekut të përgjithshëm.
  5. Kuotat e pambuluara të specializimeve afatgjata në Mjekësi të paguhen me 80% të pagës së Mjekut Specialist. (Për specializantët të cilët mund të kenë nisur specializimet me kuotë të lirë, të bëhet pagesa për vitet e mbetura të specializimit)

Pra, të paguhen të gjitha kuotat në sistem me 80% të pagës së Mjekut Specialist, e të shpërndahen nëpër spitalet e vendit për aq vite sa u takon për pagën e marrë.

  1. Të krijohet një buxhet i dedikuar për trajnimin e specializantëve jashtë vendit për përvetësimin e teknikave të avancuara sipas fushës.
  2. Pagesa e rojeve gjatë specializimit të dyfishohet, të paguhet mjeku primar dhe sekondar sipas listës së rojeve. (Aktualisht sekondari i rojes nuk paguhet.)

Duke ju falenderuar, urojmë që kërkesat tona të realizohen.

Me mirënjohje jemi në pritje të një përgjigjeje nga ju.

Studentët e degës Mjekësi e Përgjithshme

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/