Kryeministri Edi Rama ka shprehur shqetësimin për vendosjen e 24 masave sigurie ndaj stafit dhe pedagogëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës, duke theksuar se ky veprim mund të dëmtonte imazhin e universitetit, veçanërisht në një periudhë kur universiteti është në një kthesë historike dhe ka në proces ndërtimin e partneriteteve strategjike me Universitetin BOKU të Vjenës.
Në lidhje me dëgjesën e bërë nga grupi parlamentar i PS-së, Rama theksoi se kjo çështje nuk lidhet me fajësinë apo pafajësinë e individëve të përfshirë, por me mënyrën se si ishte trajtuar, duke e konsideruar si një veprim të nxituar. Ai shtoi se masat e sigurisë për një numër të tillë individësh mund të krijonin një perceptim negativ për universitetin dhe për partnerët ndërkombëtarë, duke nënvizuar se drejtësia duhet të bëjë punën e saj pa penguar funksionimin e universitetit.
“E para ju nuk jeni një person në hetim dhe ne nuk mund të bëjmë dëgjesa me persona në hetim. E dyta ju i keni dërgua një letër SPAK që të sqarojë për nëse ky kandidim si rektor do kishte një pengesë për shkak të statusit dhe përgjigja ka qenë për ju që mund të vijoni të kandidoni. E treta të gjithë duhet ta kuptojnë se shqetësimi shumë i madh në këtë rast nuk lidhet fare me faktet apo fajësinë apo pafajësinë e personave por lidhet me nxitimin për të deklaruar 24 persona në masë sigurie për një universitete që është në një kthesë historike dhe që e ka të ardhmen e vetë të varur nga një partneritet strategjik me një ndër universitetet më të vjetra të botës. Padyshim që gjëja e parë që mua më ka shkuar ndërmend kur mora lajmin, është çfarë do të mendojnë partnerët austriakë kur ta dëgjojnë. 24 veta në masë sigurie, një numër marramendës për një çështje që ka 2 apo 3 vite dhe që nuk ka asnjë lloj flagrance apo arsye për të pasur këtë lloj goditje për një institucion të arsimit të lartë. Aq më tepër që bëhet fjalë për fonde të kërkimit shkencor, që nëse ka pasur abuzime nuk diskutohet që abuzuesit duhet të përgjigjen deri në fund, por 24 vet në masë sigurie, kjo është e mjaftueshme për sa i përket konkretisht çfarë tha rektori dhe i gjithë shqetësimi është për të dhënë një mesazh për partnerët, prindërit dhe studentët që drejtësia do të bëjë punë e vetë dhe nuk ka arsye për të bllokuar punën”, tha Rama.
Rama reagoi gjithashtu ndaj kritikave dhe akuzave për shkelje kushtetuese dhe ligjore për këtë takim publik me rektorin e UBT. Kryeministri theksoi se nuk kishte asnjë strategji elektorale për të minuar hetimet dhe shtoi se pa këtë shumicë qeverisëse nuk do të kishte asnjë hetim të nivelit të lartë në Shqipëri. Në fund, Rama theksoi se Partia Socialiste dhe ai personalisht janë të vetmit garantë të reformës në drejtësi dhe institucioneve të reja të drejtësisë.
“Shoh një përpjekje të madhe për të errësuar një të vërtetë që nuk duhet ta luajë topi. Kjo parti kjo shumicë qeverisëse dhe unë personalisht jemi të vetmit garant të reformës në drejtësi dhe institucioneve të reja të drejtësisë. Kur unë kam bërë me dijë këtë dëgjesë me rektorin ka pasur një sërë reagimesh. Një reagim ka ardhur nga Afrim Krasniqi nga shoqëria civile “që akuzon për shkelje kushtetuese dhe ligjore si deklarim dhe si akt politik këtë takim publik që ne bëmë”. Ajo për të cilën unë luftoj është një drejtësia e pavarur dhe europaine. Nuk e di se ku e gjen zoti Afrim që flasin për strategji elektorale për të minuar hetimet vip të drejtësisë. Pra paraqet si fakt një fantazi të tijën. Këtu fillon problemi i madh që ne kemi në shoqërinë e sotme dhe me kanalet dhe portalet ku rëndomë opinionet shiten si fakte. Ky nuk është fakt por thjeshtë një opinion. Nuk kemi asnjë strategji elektorale për të minuar asnjë hetim. As rektori nuk u ftua për të ngritura flamurin e pafajësisë dhe për 24 personat që janë në masë pa gjyq dhe ne nuk kemi marrë asnjë detyrë që të themi kush është i fajshëm dhe kush i pafajshëm. Po të mos ishte kjo parti nuk do kishte kurrë hetime vip në Shqipëri”, tha Rama.
Një ditë më parë Gjykata e Posaçme ka firmosur masat e sigurisë për 24 punonjës të Universitetit Bujqësor të Tiranës, të cilët akuzohen për abuzim me tendera dhe shpërdorim detyre. Nga këta, 5 janë vënë në “arrest me burg”, 10 nën “arrest shtëpie” dhe 9 të tjerë janë në “detyrim paraqitjeje”.
/rtsh.al/