RTSH 24 Live

Politikë

14 maji/ Udhëzimi i ri - Kryebashkiakëve u ndalohet fushata në profilet zyrtare në rrjetet sociale

30/03/2023

14 maji/ Udhëzimi i ri - Kryebashkiakëve u ndalohet fushata në profilet zyrtare në rrjetet sociale

Komisioni Qendror Zgjedhor vendosi të hartojë një udhëzim të ri lidhur me aktivitetet publike institucionale të cilat shpesh ‘kamuflohen’ dhe shfrytëzohen për të pasqyruar aktivitetin elektoral.

Sipas rregullores nga data 13 janar 2023 deri në datën 14 maj 2023, çdo organ publik ka detyrimin të raportojë paraprakisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mbi veprimtaritë publike të kryera nga titullari dhe/ose çdo punonjës i administratës, apo personeli tjetër i institucionit. Ky njoftim bëhet 5 ditë para datës së parashikuar për zhvillimin e aktivitetit.  Nëse KQZ vlerëson se aktiviteti në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo tërthorazi ka për qëllim të promovojë aktivitet politik/elektoral atëherë ai ndalohet.

Mirëpo duket që institucionet publike janë përpjekur të gjejnë ‘hapësira’ duke detyruar KQZ që të bëjë një udhëzim më të qartë dhe ku të jenë më të qarta dallimet.

  “Sot do u dërgojmë institucioneve publike një udhëzim, që bën një dallim më të qartë. Deri diku kemi kuptuar se vërtet kjo paqartësi ekziston edhe se në shumicën  e rasteve gjejnë mënyra të kënaqin interesin e tyre politik. Me këtë udhëzimin e sotëm do të jetë qartësi më e madhe” tha z.Ilirjan Celibashi në një konferencë me gazetarët.

Në këtë udhëzim përcaktohet saktë se ku do të dallohet veprimtaria publike institucionale me veprimtarinë institucionale politike.

Me këtë udhëzim një kryetar bashkie nuk mund të pasqyrojë aktivitetet e tij elektorale as të tij dhe as të partisë politike që ai përfaqëson në profilin e tij zyrtar. Gjithashtu i ndalohet që në inaugurime të marrë kryetar partie, deputetë apo kandidatë për të promovuar realizimin e këtij projekti.

Dje KQZ kërkoi gjobitjen me 10 mijë lekë të kryetarit të Bashkisë Fier, Armando Subashi, kryetarit të Bashkisë Përrenjas, Nuri Belba dhe kryetarit të Bashkisë Librazhd Kastriot Gura.

Në zgjedhjet e 14 majit për 61 bashkitë e vendit Partia Socialiste rikandidon me 44 kryetarë bashkie të cilët kërkojnë një tjetër mandat për të drejtuar pushtetin vendor.

UDHEZIMI I RI QE DO I SHPERNDAHET INSTITUCIONEVE

Çfarë është veprimtari publike institucionale sipas KQZ?

Është ajo veprimtari që ka karakter institucional dhe lidhet direkt me përmbushjen e detyrës përkatës të funksionarit apo drejtuesit publik.
Drejtuesi i institucionit apo dhe funksionarë të tjerë pjesëmarrës edhe pse mund të kenë status apo angazhim politik, në një aktivitet institucional nuk duhet të përfaqësojnë as direkt as indirekt profilin e dytë të tyre. Mundet dhe lejohet të marrin pjesë vetëm funksionarë dhe administrata publike e institucionit përkatës ose institucioneve partner të lidhur me veprimtarinë që planifikohet të zhvillohet.

- Nëse një kryetar bashkie zhvillon një inspektim ai nuk mund të marrë as deputetë as funksionarë të tjerë drejtues politikë të partisë në qark, rreth apo tjetër, por si onturazh do të ketë vetëm nëpunësit e administratës. 

Nuk mund të shoqërohet me mbështetës dhe simpatizantë politikë.

-Ndalohen deklarimet politike, ose elektorale si ftesa për të mbështetur një subjekt zgjedhor elektoral të caktuar apo program elektoral të caktuar apo stigmatizuar një subjekt zgjedhor elektoral të caktuar apo program elektoral të caktuar

-Ndalohet shfaqja përdorimi i materialeve e sloganeve simboleve politike ose elektorale të dukshme ose të stilizuara. Nëse veprimtaria parashikohet të ketë pjesëmarrje të publikut ose medias duhet të raportohet në KQZ 5 ditë para datës së zhvillimit

Do të vlerësohen si veprimtari politike ato veprimtari që kanë këto karakteristika

-Nuk raportojnë në KQZ.  Nuk ka asnjë detyrim një subjekt elektoral të raportojë në KQZ veprimtaritë politike.

- Nëse raporton në KQZ e konsiderojmë se ai e ka konsideruar vetë publike.

- Ndalohet pjesëmarrja e nëpunësit e funksionarit publik gjatë orarit zyrtar

- Ndalohet përdorimi i aseteve publike për zhvillimin e kësaj veprimtarie

-Ndalohet përdorimi i simboleve apo logove apo të tjera të ngjashme të institucionit publik. Pra nëse një kandidat për kryetar bashkie që njëkohësisht është dhe kryetar bashkie zhvillon një aktivitet politik e elektoral e ka të ndaluar të përdorë simbole direkt apo indirekt të institucionit të bashkisë.

-Ndalohen deklarime në emër të institucionit publik nga pjesëmarrësit, pavarësisht se ata mund të jenë pjesë e institucionit, apo në varësi të tyre.

-Ndalohet pasqyrimi në rrjetet sociale të institucioneve. Jo pak raste kemi konstatuar veprimtaritë politike të kryetarëve të bashkive, ministrave apo funksionarëve publikë ngarkohen në faqet e institucioneve. Kjo nuk është e lejueshme.

-Ndalohet pasqyrimi i veprimtarive në rrjetet sociale përmes profileve zyrtare të funksionarëve. Pra një kryetar bashkie në profilin e tij zyrtar si kryetar bashkie nuk mund të pasqyrojë aktivitetet e tij elektorale as të tij dhe as të partisë politike që ai përfaqëson. Tek profili i tij privat mund të bëjë çfarë të dojë.

- Ndalohen inaugurimet e zhvilluar në kuadër të veprimtarive politike eleketorale dhe/ose me pjesëmarrje të përfaqësuesve politikë partiakë. Ai ministër, kryetar bashkie që për shkak të funksionit të vet ka realizuar një projekt të caktuar ka të gjithë të drejtën që ai dhe vetëm ai ta thotë. Është e ndaluar të marrë kryetar partie, deputetë apo kandidatë për të promovuar realizimin e këtij projekti. Nuk ka pse të marrë deputetë.

/rtsh.al/