RTSH 24 Live

Politikë

14 maji/ Pas vendimit të KAS, KQZ regjistron PD-në e Alibeajt për zgjedhjet vendore

18/03/2023

14 maji/ Pas vendimit të KAS, KQZ regjistron PD-në e Alibeajt për zgjedhjet vendore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka regjistruar ditën e sotme Partinë Demokratike të komanduar nga Enkelejd Alibeajn për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Duke iu referuar vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi se institucioni që ai drejton nuk i mbetet gjë tjetër veçse të zbatojë vendimin e marrë nga KAS.

Në lidhje me vendimmarrjen time pasuese si komisioner s’kam shumë për të thënë, përveç faktit që ky vendim i KAS mbetet për t’u zbatuar nga Komisioneri Shtetëror pasi përtej çdo diskutimi e pikëpamje është akti i një organi të parashikuar nga ligji për të vendosur për çështje të tilla e sa kohë ky organ ka vendosur regjistrimin si subjekt zgjedhor të Partisë Demokratike mbetet thjesht aplikimi e zbatimi i këtij vendimi.

Prandaj për të mos e zgjatur më tej vendosim regjistrimin e Partisë Demokratike me nënkryetar Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë për zgjedhjet e 14 majit 2023.

Kundër këtij vendimi lejohet ankim në KAS brenda tre ditëve dhe ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, është shprehur Celibashi gjatë mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. 

Ndërkaq, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka marrë në shqyrtim kërkesën e koalicionit të drejtuar nga grupi i ‘Rithemelimit’ të Sali Berishës për t’u regjistruar në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Në koalicionin “Bashkë Fitojmë” e drejtuar nga Berisha, bëjnë pjesë Partia e Lirisë e drejtuar nga Ilir Meta, Partia Demokristiane e Nard Ndokës dhe Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut e drejtuar nga Vangjel Dule. 

Midis kërkesave të tjera, KQZ do të marrë në shqyrtim edhe kërkesën e koalicionit “Aleanca Liberale e Djathtë”, “për regjistrimin si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.

Gjithashtu, KQZ do të shqyrtojë edhe rezultatin e verifikimit të Prokurorit të Përgjithshëm, për subjektin vetëdeklarues z. Rodolf Llambi Xhillari, anëtar në Këshillin e Bashkisë Tiranë”.

/rtsh.al/