RTSH 24 Live

Aktualitet

12.900 m² tokë në Lalëz pa dokumente, kërkohet arrestimi i 3 zyrtarëve

17 orë para

12.900 m² tokë në Lalëz pa dokumente, kërkohet arrestimi i 3 zyrtarëve

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka kërkuar masën e “arrestit në burg” për 3 shtetas të Agjencisë Shtetërore lokale të Kadastrës.

Mes të pandehurve është marrë edhe ish-kryeregjistruesi i ASHK Durrës, Ardian Kona, tashmë nën arrest.

Tre shtetas të tjerë janë shpallur në kërkim, njëri jurist dhe tjetri hartograf në ASHK-në lokale. Ata dyshohen se shpërdoruan detyrën nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve zyrtare.

"Nga hetimi në kuadër të procedimit penal nr.670 i vitit 2024, rezultoi se shtetasja A.D., në bashkëpunim me punonjësit e ASHK-së Durrës, shtetasit A.K., B.Z. dhe L.D., kanë regjistruar pasurinë e llojit arë me sipërfaqe 12.900 m2 pa asnjë dokument ligjor, pasuri kjo e ndodhur në Lalëz Durrës, e cila më parë ka qenë pasuri me status “shtet”.

Kjo pasuri u regjistrua në kundërshtim Ligjin nr.9948, datë 07.07.2008 “Për vlefshmërinë ligjore të titujve të pronësisë”, i ndryshuar” pasi u regjistrua bazuar në një vendim gjykate i cili detyronte komunën për pajisjen me AMTP. Nga hetimet rezultoi se për këtë pasuri nuk është lëshuar asnjëherë AMTP nga institucionet përkatëse, si dhe nuk ka asnjë dokumentacion apo aplikim në ASHK në lidhje me këtë pasuri," thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës gjithashtu gjykoi që për tokën në fjalë të vendosë “sekuestro preventive”.

/rtsh.al/