RTSH 24 Live

Politikë

Vendimet e Kushtetueses, Peleshi: I drejtohemi Venecias në parim, jo për çështjen “Xhaçka”

10/09/2024

 Vendimet e Kushtetueses, Peleshi: I drejtohemi Venecias në parim, jo për çështjen “Xhaçka”

Kryetari i grupit parlamentar socialist Niko Peleshi në një prononcim për media pas përfundimit të mbledhjes me deputetët, deklaroi se Partia Socialiste do i drejtohet Komisionit të Venecias në lidhje me votimin e Kuvendit për vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Peleshi deklaroi se do kërkojnë mendim në parim, dhe jo për mandatin e deputetes Olta Xhaçka.

Ne nuk i diskutojmë vendimet e Kushtetueses në grupin parlamentar. Kjo çështje nuk është në rendin e ditës, nuk e trajtojmë si mendim politik. Vendimi i Kushtetueses është bërë i njohur për të gjithë deputetët.

Do i drejtohemi Komisionit të Venecias, jo për këtë çështje, do i kërkojmë një mendim Komisionit të Venecias për çdo situatë tjetër të mundshme që mund të paraqitet në të ardhmen.

Duam të dimë se ku fillon e ku mbaron diskrecioni i vullnetit të lire të deputetit dhe ku fillon e ku mbaron detyrimi apo zbatueshmëria e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Peleshi.

Ndër të tjera, Peleshi u ndal edhe te takimi informal që do të mbajë kryeministri Edi Rama me deputetët në Elbasan.

Peleshi u shpreh se fokus i këtij takimi do të jetë komunikimi i deputetëve me qytetarët, median dhe elektoratin.

“Takim i brendshëm jo shumë strikt. Do jetë mundësi për çdo deputetë për të ndarë mendimet e veta se si mund të bëhet më i mirë komunikimi, puna në komisione, në territor”, u shpreh Peleshi.

/rtsh.al/