RTSH 24 Live

Letërsi

“Udhëtim mes yjesh” libri i kolegut Dhimitër Gjoka

22/07/2020

“Udhëtim mes yjesh” libri i kolegut Dhimitër Gjoka

Dhimitër Gjokën e shohim si spiker lajmesh, drejtues programesh televizive prej gjysmë shekulli, plot 5 dekada. Edhe si drejtues të festivaleve në RTSH para viteve 90. Por që kolegu ynë, i cili drejton përditë edhe sot po në RTSH revistën televizive, dikur ka studiuar për regjisurë në ish-Insitutin e Arteve, pakkush e di.
Endrrat e tij për aktrimin dhe regjinë dhe skenën e Teatrit Popullor, apo gjithë jetën e tij, dashurinë, martesën, familjen, deri te këngët himariote të Neco Mukos, të rrëfyera nga gjyshi i tij himariot, apo dialogjet reale me Enver Hoxhën, ka vendosur t’i rrëfejë vetë Dhimitri në librin “Udhëtim mes yjesh”. Një libër shkruar midis Tiranës dhe Himarës në këto dhjetë vitet e fundit. Aty të befason se si talentin për recitim nis ta kultivojë që në gjimnazin Halim Xhelo në Vlorë. E pasi ëndrra për studime për regji në Francë nuk u realizua, vjen në Institutin e Arteve në një klasë me të mirënjohurit Spiro Duni, Ylli Demneri, Zef Mosi, duke pasur profesorë Piro Manin, Dhimitër Anagnostin, Viktor Gjikën, Gëzim Erebara, Piro Milkani, Kristaq Dhamo, Vangjush Furrxhi, Gjergj Vlashi etj.
Por duke qenë se kur ishte student punonte si folës i jashtëm i Televizionit Shqiptar, përkrah Virgjil Kules, Kiço Fotjadhit, Amalia Dhamos, Tefta Radit e tj…në kohën kur talentet kërkoheshin e mbështeteshin pa humbur kot.. nuk i shpëtoi syrit të ish-drejtorit të RTSH, Marash Hajati që siç shkruhet në libër, “pati bërë luftë të madhe që emërimi i tij përfundimtar të bëhej në RTSH, pasi “e shihte si me prespektivë dhe i duhej ekrani që do t’i jepte shumë famë”…
Dhe ashtu ndodhi. Dhimitri kuptoi se çdo gjë ishte vendosur dhe ishte e kotë të kundërshtonte. Por dhe vërtet siç parashikoi Marash Hajati, ai përmbushi një karrierë brilante, një kënaqësi nga teleshikuesit që nuk mund ta përshkruajë me fjalë, siç përshkruan në libër, e sidomos në RTSH, por edhe në ekrane të tjera televizive si top Channel, Alsat, News 24, udhëtim për të cilin falenderon këdo që ishte pjesë e tij, e ku edhe ndihmoi shumë të talentuar të rinj të rriten e që bashkë me Reis Çiçon janë dy prej ikonave televizive shqiptare ende në modë, që nuk iu ikën moda, që hijeshojnë ekranet tona me maturinë, pjekurinë, bukurinë, elegancën, tonalitetin kumbues të zërit, artikulimin e shqipes dhe përcjelljen e lajmit.