RTSH 24 Live

Politikë

“Sterilizimi”, PD: Të shtyhen afatet, pyetët dëshmitarët pa ne. Ndreca: Kishit përfaqësues

08/11/2024

“Sterilizimi”, PD: Të shtyhen afatet, pyetët dëshmitarët pa ne. Ndreca: Kishit përfaqësues

Partia Demokratike ka kërkuar sërish shtyrjen e afateve të Komisionit Hetimor për Sterilizimin dhe të Check-up-in. Në mbledhjen e kësaj të premte (8 nëntor), deputetja demokrate, Zheni Gjergji tha se deputetëve të opozitës iu hoq e drejta për të qenë pjesë e punimeve të këtij komisioni, për shkak të përjashtimit të tyre nga Kuvendi, vendim që e konsideroi si të padrejtë dhe në shkelje të rregullores.

Nuk kam qenë pjesë e këtij hetimi gjatë një muaji. Gjykata vendosi që ky vendim ka qenë i padrejtë. Gjithë puna e bërë në ngutje, edhe pse ka patur kërkesa nga ana jonë të mos zhvillohen seanca pa qenë opozita, ju përsëri në shkelje të rregullores na keni hequr të drejtën për t’u bërë pjesë e hetimit parlamentar. I gjithë hetimi i kryer, edhe pas vendimit të Gjykatës, mendoj që edhe pas kërkesës që ju i keni dërguar kryetares së Kuvendit për të mbledhur Byronë dhe për ta shqyrtuar vendimin e marrë në grup nga anëtarët e Komisionit të Legjislacionit, mendoj se kjo është e pavlefshme. Ne duhet të kërkojmë shtyrjen e afatit të këtij komisioni hetimor, sa kohë që ne na është mohuar e drejta e hetimit parlamentar. Kërkoj që ky komision, në moralin e vet, ja kërkoj kolegëve të maxhorancës, të ketë mundësi t’i bëjë thirrje kryetares së Parlamentit që të shtyjë datën e zhvillimit të këtij komisionit hetimor për kontratat në shëndetësi. Dua të jem pjesë e dëgjesave me këta dëshmitarë. Lista e dëshmitarëve që ju keni marrë nuk kanë ardhur përmes shkresave, janë emra që ju i keni thirrur në mënyrë të njëanshme dhe keni kaluar për 2 orë 11 dëshmitarë”, tha Gjergji.

Po ashtu edhe kryetarja e komisionit, Albana Vokshi tha se deputetët e opozitës nuk kanë qenë të pranishëm në dëgjesat me dëshmitarët dhe se kanë “shumë pyetje” që ata nuk i kanë bërë. Ajo shprehu ankesa për disa institucione se nuk i kanë dërguar informacionin e kërkuar, teksa argumentoi se ky komision nuk mund të mbyllet pas ezauruar këtë informacion dhe po ashtu edhe listën e dëshmitarëve.

Kemi kërkuar gjatë dëgjesave informacione, kemi kërkuar ish-ministren që ju i kaluar shpejt e shpejt dhe kanë mbetur shumë pyetje për t’u bërë. Unë kërkoj që ministrja Manastirliu të paraqitet sërish. I kemi  kërkuar informacion dhe ka thënë që nuk e ka të gatshëm dhe ka thënë që do ta sjelli me shkrim, nuk e ka sjellë. Ish-drejtoresha Fico nuk ka sjellë informacion. Drejtoresha aktuale e QSUT-së, i kemi kërkuar informacion, nuk ka sjellë. Nuk e di si mund të mbyllet raporti pa ezauruar listën e dëshmitarëve dhe informacionin që ne kemi kërkuar. Nuk mund të mbyllet Komisioni hetimor pa u ezauruar lista e dëshmitarëve. Kërkoj që gjërat të ribëhen”, deklaroi Vokshi.

Nënkryetari i komisionit, Plarent Ndreca, nuk ishte dakord me argumentet e opozitës, teksa tha se, edhe pse ata nuk ishin të pranishëm në disa seanca, kanë patur në sallë përfaqësues. Për Ndrecën, shtyrja e afatit të komisionit do të ishte e pakuptimtë, teksa tha se ata janë në kohë për mbyllur punimet dhe për të dalë me një raport.

Nënkryetari i komisionit, Plarent Ndreca: Nuk i është hequr mundësia opozitës për të marrë pjesë. Në komision kanë qenë përfaqësuesit tuaj. Kanë qenë katër anëtarë komisioni që kishin mundësi për të bërë pyetje. Nuk kishim seanca me votim, ishim në seanca pyetjesh, secili mund të bënte pyetjet  e veta. Qëllimi ka qenë gjithmonë ta bëjmë bashkë. Ne e shtymë dy javë, morëm miratim nga grupi ynë parlamentar. Tani unë mendoj se nuk ka më sens të bëjmë shtyrje pas shtyrje. Jemi në kushtet për ta mbyllur brenda afatit dhe besoj që ja dalim deri më datë 12, me 14 është  afati i fundit. E kemi mundësinë të mbyllim gjithçka”, deklaroi ai.

Punimet e këtij komisioni përfundojnë më 14 nëntor, ndërsa deri më tani është shtyrë dy herë. Fillimisht afati u shty deri më 22 tetor, por megjithatë nuk mjaftoi që të mbylleshin punimet dhe për pasojë, Kuvendi votoi sërish për t’i shtyrë punimet deri më 14 nëntor. Komisioni Hetimor për Sterilizimin Check-up-in dhe është shoqëruar me debate të vazhdueshme mes maxhorancës dhe opozitës, duke çuar në zvarritje të punimeve.

/rtsh.al/