RTSH 24 Live

Politikë

Berisha: Asnjë vendim për bojkot të parlamentit, përjashtimi i 24 deputetëve pengoi pjesëmarrjen në komisione

8 orë para

Berisha: Asnjë vendim për bojkot të parlamentit, përjashtimi i 24 deputetëve pengoi pjesëmarrjen në komisione

Kryedemokrati Sali Berisha ka deklaruar se Partia Demokratike nuk ka patur asnjë vendim për bojkot të Parlamentit, duke argumentuar se deputetët demokratë janë bllokuar te dera e Kuvendit në mënyrë të paligjshme.

Ai shtoi se, vendimi i Këshillit të Etikës për përjashtim të 24 deputetëve demokratë, vështirësoi pjesëmarrjen e tyre në komisione.

“Ka pasur një keqkuptim, keqkuptimi ka qenë që nuk ka asnjë vendim të PD për bojkotin e seancave të parlamentit dhe në rast se i rikthehemi, ju e dini që deputetët tanë që nuk kanë qenë të përjashtuar kanë shkuar në çdo seancë, por janë bllokuar tek dera në mënyrë të paligjshme. Nuk ka patur asnjë vendim edhe njëherë, që të braktisë, që të bojkotohet parlamenti, gjë që mund të merrej, por nuk është marrë.

Ka pasur një vendim kur u bë përjashtimi i 24 deputetëve, ajo pastaj vështirësoi krejtësisht pjesëmarrjen në komisione dhe këto u bojkotuan. Anulimi i vendimit nga Gjykata Administrative rikthej deputetët edhe në komisione. Pra nuk duhet ti marrim gjërat, sikundër nuk janë. Pra nuk ka pasur vendim”, deklaroi Berisha.

Ky i fundit vlerëson se deputetët opozitarë duhet të jenë prezentë në Komisionet Parlamentare gjatë diskutimit për pr.buxhetin e vitit 2025.

Së dyti e konsideroj shumë të rëndësishme që deputetët për buxhetin të thonë fjalën e tyre edhe në parlament, sepse taksapagues është edhe populli opozitar, sepse interesat e qytetarëve në rastin e buxhetit është shumë specifike dhe do ti mbrojmë edhe në parlament.

Ne jemi të detyruar të dërgojmë amendamente për këto dhe nuk besoj se, PD do të kishte mirëkuptim nga qytetarët nëse ajo debatin për buxhetin nuk e bënte edhe në parlament. Thënë këto, nuk lëviz asgjë nga mosbindja civile. Ju garantoj me përgjegjësi të plotë këtë. Ajo do të vazhdojë në rrugë, sheshe dhe kudo”, shtoi ai.

/rtsh.al/