RTSH 24 Live

Politikë

“Shqipëria, avokate e Kosovës”, Begaj: Shpresëplotë për votim të suksesshëm në Këshillin e Evropës

15/04/2024

“Shqipëria, avokate e Kosovës”, Begaj: Shpresëplotë për votim të suksesshëm në Këshillin e Evropës

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologen e Kosovës, Vjosa Osmani në Prishtinë, Presidenti, Bajram Begaj u shpreh optimist që të martën, (16 prill) të ketë një votim të suksesshëm në Këshillin e Evropës dhe që Kosova të bëhet anëtare.

Begaj theksoi se Shqipëria është avokate e Kosovës për njohje të reja dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare.

Shqipëria e ka për detyrë dhe do të jetë avokate e Kosovës për njohje të reja dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare. Jam shumë me shpresë plot se nesër do të kemi votim të suksesshëm në Këshillin e Evropës. Kjo do të na japë më shumë frymëzim për punë më të mira në të ardhmen”, theksoi presidenti shqiptar.

Ndër të tjera, kreu i shtetit nënvizoi se marrëdhëniet e nënshkruara mes dy vendeve, duhet të implementohen.

Nga ana e saj, Osmani u shpreh se Kosova është e bekuar të ketë mbështetjen e Shqipërisë në të gjithë procesin drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

E hëna dhe e marta janë dy ditë historike për Kosovën, pasi Këshilli Evropian do të votojë raportin e Dora Bakoyannis për aplikimin e Kosovës në Këshill dhe do të ketë votime në komitete dhe në Asamblenë Parlamentare.

Takimi i Asamblesë Parlamentare do të mbahet të martën, më 16 prill. Kosova ka aplikuar në maj 2022 për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

/rtsh.al/