RTSH 24 Live

Politikë

Projektligji ‘Koçi’- Kush fyen, dhunon simbolet kombëtare, do ti ndalohet përjetësisht kandidimi

29/04/2024

Projektligji ‘Koçi’- Kush fyen, dhunon simbolet kombëtare, do ti ndalohet përjetësisht kandidimi

Një projektligj i depozituar të hënën në Kuvend nga deputeti socialist, Petro Koçi ka si qëllim që të ndalojë përjetësisht për të kandiduar, të zgjidhen apo të emërohen në funksione të larta publike, të gjithë ata persona, të cilët, sipas tij, “fyejnë simbolet kombëtare dhe shtetërore”.

“Sapo depozitova një projektligj i cili do ndaloje përjetësisht të kandidojnë, të zgjidhen apo të emërohen në funksione publike shtetas që janë dënuar për dhunim apo përdhosje të simboleve shtetërore dhe kombëtare. Ligj kundër tradhtarëve të kombit.”, shkruan Koçi.

Projektligjin ai e sheh si pjesë përbërëse të ligjit për dekriminalizimin, të cilin ai e komenton në relacionin që shoqëron projektligjin si shumë efektiv në rritjen e besueshmërisë së personave që zgjidhen apo emërohen në postet e larta shtetërore.

“Projektligji që i propozohet Kuvendit për miratim synon sanksionimin me ligj të ndalimit përjetë për tu zgjedhur, emëruar apo për tu përfshirë në funksione publike të personave të cilët janë dënuar për fyerje, dhunuar apo përdhosje të simboleve shtetërore apo kombëtare të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në relacionin e projektligjit të paraqitur nga deputeti i PS, Petro Koçi.

Kjo, sipas tij, garantohet duke përfshirë nenin 225 të Kodit Penal në ligjin për dekriminalizimin.

Çfarë thotë neni 225 i Kodit Penal?

Neni 225/ Shpërndarja e shkrimeve antikushtetuese

Shpërndarja e shkrimeve apo përdorimi i simboleve që i përkasin një partie, organizate apo shoqate antikushtetuese ose që është e shpërndarë si e tillë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Shpërndarja apo futja e materialeve, shkrimeve apo simboleve nga jashtë në Republikën e Shqipërisë, të cilat synojnë përmbysjen e rendit kushtetues a cenimin e tërësisë tokësore të vendit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

/rtsh.al/