RTSH 24 Live

Aktualitet

‘Shitën’ rrugën si ndërtim të ri, arrest shtëpie për kryetarin e nënkryetarin e Bashkisë Tropojë

09/09/2024

‘Shitën’ rrugën si ndërtim të ri, arrest shtëpie për kryetarin e nënkryetarin e Bashkisë Tropojë

Kryetari dhe nënkryetari i Bashkisë Tropojë, përkatësisht Rexhe Byberi dhe Abedin Kërnaja, vendosen në ‘arrest shtëpie’. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, bëri të ditur se ka regjistruar procedimin penal, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”“Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe “Shkatërrimi i pronës”, mbi bazën e akteve të procedimit penal të vitit 2021 që janë dërguar për kompetencë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për elementët dyshues të veprave penale për subjekte për të cilat janë kompetencë e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Nga aktet rezulton se Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, ka regjistruar procedimin penal Nr.131 viti 2021 për veprën penale të “Shkatërrimi i pronës” i parashikuar nga Kodi Penal.

Gjithashtu Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

“Në tërësi nga veprimet procedurale të kryera deri në këtë fazë të hetimit ekzistojnë dyshime të arsyeshme se shtetasi Rexhe Byberi, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tropojë në bashkëpunim me shtetasin Abedin Kërrnaja me detyrë zv/kryetar i Bashkisë Tropojë, kanë kryer veprime/mosveprime që përbëjnë mos përmbushje të rregullt të detyrës, “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, gjatë procesit të për hapjen e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

Rruga ekzistuese u ‘shit’ si rrugë tërësisht e re

Këshilli Bashkiak i Tropojës ka miratuar vendimin për miratimin në parim të projekt idesë së rrugës “Stacioni i Anijes Palç-Guri i Lules”, nga ku rezulton se është miratuar në parim projektideja për ndërtimin e rrugës auto “Stacioni i Anijes Palç-Guri i Lules”, me një gjatësi 3.2 km, totalisht ndërtim i ri, kur në fakt 80% e kësaj gjatësie kalon nëpër rrugën këmbësore ekzistuese.

Më pas, me vendim të Prefektit të Qarkut Kukës është konfirmuar ligjshmëria e vendimeve të Këshillit të Bashkisë Tropojë për ndërtimin e rrugës auto “Stacioni i Anijes Palç-Guri i Lules” dhe Vendimit të Këshillit Bashkiak për miratimin në parim të projekt idesë së rrugës “Qafë Murrizi-Qafë Agri”.

“Këto punime janë bërë në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore të cituara më sipër. Konkretisht për kryerjen e punimeve të cituara më sipër, për hapjen e një rrugë të re subjekti i interesuar duhej të aplikonte në sistemin elektronik e-leje, pranë Bashkisë Tropojë, si institucion vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, pasi të ketë verifikuar plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor nga aplikuesi që parashikon legjislacioni për këto lloj punimesh. Konkretisht në nenin 15 të VKM janë saktësuar dokumentet tekniko-ligjor që duhen depozituar në sistemin e-leje, gjatë aplikimit të kërkesës për leje ndërtimi të infrastrukturës. Gjithashtu, Bashkia Tropojë duhej të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës sic janë: Agjencia Kombëtare e Mjedisit, për nevojën e hartimit të Raportit të Vlerësimit të ndikimit në mjedis, të bashkëvepronte me Ministrinë e Linjës (parashikuar në sistemin elektronik e-leje) për impaktin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve të ndërtimit.”, njofton SPAK.

Hetimi

Bëhet e ditur se në kuadër të veprimeve hetimore, nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është caktuar kryerja e aktit të ekspertimit teknik-topografik.

“Nga kryerja e aktit të ekspertimit ka rezultuar se hapja e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak është bërë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi duke sjellë një dëm prej 277. 611.520 Lekë.”, njofton SPAK-u.

Në bazë të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dhe caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” për kryetarin dhe nënkryetarin e Bashkisë Rexhe Byberaj dhe Abedin Kërnaja të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim.

“Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe Byroja Kombëtare e Hetimit për ekzekutimin e këtij vendimi.”, mbyllet njoftimi I SPAK-ut.

/rtsh.al/