RTSH 24 Live

Sociale

"Shëndeti mbi të gjitha", Ministria thirrje për vaksinimin kundër virozave stinore

27/01/2025

"Shëndeti mbi të gjitha", Ministria thirrje për vaksinimin kundër virozave stinore

Vaksinimi është i rëndësishëm, pasi nuk është kurrë vonë për t’u mbrojtur.

Ky është apeli i bërë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ministrja Albana Koçiu solli këshillat e mjekëve duke theksuar se çdokush duhet të konsultohet me mjekun e familjes për çdo shqetësim dhe qendrat shëndetësore janë në gatishmëri 24/7.

Mjekja e familjes, Xhentiljana Nazaj, pranë Qendrës Shëndetësore Nr. 10, u shpreh se vihet re një rritje e numrit të pacientëve që paraqiten me simptomat e virozave të gripit stinor gjatë këtij muaji.

"Jemi në ditët e para dhe vihet re një rritje e numrit të pacientëve që paraqiten me simptoma të virozave të gripit stinor. Natyrshëm na lind pyetja, si duhet të mbrohemi nga këto viroza. Përveç respektimit të kushteve të higjienës, shmangia e ekspozimit në ambiente të mbyllura me shumë persona, ushqimi i shëndetshëm etj. ajo që dua të theksoj si faktorin më kryesor mbrojtës është vaksinimi nga gripi stinor.

Ne i ofrojmë vaksinat e gripit në qendrat tona shëndetësore dhe vazhdojmë akoma të aplikojmë këto vaksina. Vihet re që pacientët të cilët e kanë kryer rregullisht vaksinën e gripit e kalojnë virozën e stinës me simptoma më të lehta, kryesisht pa komplikacione," këshilloi Dr. Nazaj.

Më herët, ministrja Koçiu është shprehur se deri tani janë përdorur rreth 75 për qind e sasisë totale të vaksinave të siguruara për grupet e riskuara.

Sipas udhëzimeve të Ministrisë, vaksinat antigrip mund të bëhen nga personat e moshuar mbi 65 vjeç, të sëmurët kronikë, ata me probleme të sistemit kardiovaskular, të sistemit pulmonar dhe të sistemit renal.

E këshillueshme është që vaksina të merret edhe nga gratë shtatzëna dhe fëmijët e moshës mbi gjashtëmuajsh.

Gazetare: Amela Koçerri

/rtsh.al/