RTSH 24 Live

Televizion

"RTSH 24, motori i Radiotelevizionit Publik, synon vendin e parë në garën mediatike"

01/05/2024

"RTSH 24, motori i Radiotelevizionit Publik, synon vendin e parë në garën mediatike"

"RTSH 24 do të jetë motori i Radiotelevizionit Publik Shqiptar, për t'i shërbyer publikut shqiptar me profesionalizëm, me paanësi dhe në mënyrën më të balancuar të mundshme."

Me këtë ambicie, Drejtori i Përgjithshëm i RTSH, Alfred Peza, përshëndeti të mërkurën rikonceptimin dhe modernizimin e kanalit RTSH 24.

Një paketë e re grafike, studio të reja dhe koncepte novatore synohet ta kthejnë atë në një televizion të pavarur informativ, krejtësisht të ri brenda rrjetit të Radio Televizionit Shqiptar.

"E nisëm nga "news" (lajmet), sepse ka tri dimensione puna dhe detyrimi i RTSH për t'i shërbyer audiencës dhe publikut: informimin, argëtimin dhe edukimin.

Dimensioni i informimit është një nga dimensionet më të rëndësishme po të kemi parasysh dinamikën e zhvillimit të teknologjive të transmetimeve dhe medieve në përgjithësi. Kjo duke pasur parasysh faktin që radiotelevizionet publike që janë pjesë e EBU-së e kanë të rëndësishëm dimensionin e informacionit dhe aktualitetit.

Ka pasur një problematikë të mbartur në shumë vite e dekada në RTSH ku grila programative dhe vetë dimensioni i aktualitetit e informacionit nuk ka qenë në momentin e vet më të mirë, në lartësinë më të mirë profesionale që kërkonte koha dhe audienca. Duhet ta fillonim nga informacioni, sepse duhet të jemi në kohë reale, në kohën e duhur dhe vendin e duhur për të informuar me standardin e duhur profesional," u shpreh zoti Alfred Peza, Drejtori i Përgjithshëm i RTSH në studion e RTSH 24 i intervistuar nga kryeredaktori Nolian Lole.

Ky fillim i ri me RTSH 24 nënkuptoi edhe investime në burime njerëzore e infrastrukturë, ndryshime të cilat janë intensifikuar në muajt e fundit.

"Është një ndërmarrje komplekse. Radiotelevizioni Publik Shqiptar prej 10 muajsh i është nënshtruar një reforme të thellë strukturore nga të gjitha pikëpamjet. Së pari, për sa i përket kulturës së punës; së dyti, kushtet e punonjësve dhe profesionistëve të këtij institucioni; dhe së treti, pjesa e infrastrukturës teknike dhe transmetuese. Pastaj vijnë me radhë standardet dhe cilësia e programeve. Është një maratonë e gjatë që kemi nisur. E filluam me ndryshimin e programeve të sezonit të ri radioteleviziv në shtator 2023, për të vijuar deri tani dhe në fund të sezonit. Kemi javë që kemi filluar përgatitjet për sezonin e ri shtator 2024–verë 2025.

Kemi filluar me ndryshimin e të gjitha studiove të radios, me transmetimin për herë të parë të podkasteve, kemi rikthyer spektaklin në ekran si dimension i argëtimit të opinionit publik përmes instrumenteve radioteleviziove, dhe kemi vazhduar me sallën e Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar, e cila është absolutisht guri i diamantit të kurorës së aseteve të RTSH-së dhe një nga ambientet më të mira artistike e kulturore në Tiranë dhe Shqipëri.

Çdo ditë e më tepër po afrohen artistë, muzikantë, këngëtarë e shumë personalitete të çdo fushe për ta shfrytëzuar si një ambient i një niveli tjetër në Shqipërinë e 2024. Kemi pasur gjithashtu investime në studio: Studio nr. 4 e nr. 1. Studio 1 është studioja më e mirë televizive në Shqipëri, për herë të parë 360 gradë me një koncept LED Wall dhe Video Wall," tha Drejtori i Përgjithshëm i RTSH Alfred Peza.

Sipas tij, "RTSH 24 do të jetë motori i kësaj makine të vjetër, që po rikthehet dhe është futur sërish në pistën e garës për audiencën, për t'i shërbyer publikut shqiptar me profesionalizëm, me paanësi dhe në mënyrën më të balancuar të mundshme".

Përcjellja e lajmeve është një sfidë në kohët moderne dhe teknologjia po përdoret në fushata dhe mediet sociale për të pasqyruar mesazhe artificiale.

Këtë sfidë përball edhe RTSH, por trajnimet dhe bashkëpunimi i ngushtë me transmetuesit e tjerë publikë nëpër Europë ka ndihmuar në trajtimin e problemit.

"Sondazhet më të besueshme profesionale të këtij viti, nga EBU dhe organizatat ndërkombëtare të medies, i nxjerrin radiotelevizionet publike si mediet më të besueshme në botë në kohën e lulëzimit të 'fake news' dhe të përhapjes së informacionit në mënyrë të rremë, joprofesionale, qëllimisht negative. Është kjo një nga pikat tona më të forta që po kërkojmë gjithmonë e më tepër ta potencojmë, pasi ne zbatojmë e kemi përqafuar parimet themelore profesionale të EBU-së, të Bashkimit Europian të Radiotelevizioneve Publike, sipas të cilave lajmi jep identitetin e pamjes së një medieje televizive. Një nga parimet që e ka pasur, e ka dhe do ta mbajë gjithmonë media më e besueshme publike në botë, BBC, 'më mirë të dytët, sesa të pasaktë në trajtimin e lajmit dhe të zhvillimeve'. Këto janë sfida që ne i kemi përqafuar, po trajnojmë stafin dhe jemi në rrugë të mbarë," nënvizoi z. Peza.

RTSH mbart me vete një histori 85-vjeçare, që nisi me Radion dhe prej 64 vitesh vijon me prodhimet origjinale në TV. Trashëgimia e gjatë radiotelevizive ka nisur të shpërndahet tashmë edhe në mediumet e reja të internetit.

"Ne kemi përqafuar inteligjencën artificiale për ta vendosur në funksion të punës dhe të rritjes së rendimentit tonë. P.sh. përpara pak ditësh kemi hapur kanalin tonë në platformën më të madhe audiofonike të botës. Kemi përdorur inteligjencën artificiale për cover-at e këngëve, festivaleve apo programeve të tjera. Shumë shpejt do të kemi edhe platformën OTT, over-the-top, që ka qenë RTSH Tani. Po punojmë edhe për modelin e ri të uebsajtit dhe kemi ridimensionuar gjithë peshën dhe vizionin për punën e online dhe rrjeteve sociale, ku RTSH është aktualisht një nga konkurrentët më të fuqishëm të të gjitha televizioneve kombëtare private në Shqipëri dhe shumë nga programet tona janë më të ndjekurat në të gjitha grilat programative edhe në raport me televizionet kombëtare private. Radiotelevizioni Publik Shqiptar është rikthyer në garë dhe RTSH 24, si motori i kësaj makine, që synon vendin e parë në garën 'Formula 1' të medieve në Shqipëri, do të luajë një rol të jashtëzakonshëm për arritjen e këtij qëllimi," deklaroi z. Peza.

RTSH ka vendosur marrëdhënie bilaterale të ngushta me transmetuesit e ngjashëm publikë.

"... marrëdhënie bilaterale me EBU-në apo edhe me organizmat e tjerë, siç është Transmetuesit Publikë të Mesdheut. Jemi zgjedhur anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të kësaj organizate shumë të rëndëdishme të të gjitha raidotelevizioneve publike të Mesdheut. Jemi po ashtu në raporte shumë të ngushta me radiotelevizionet publike të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Rai në Itali, me Turqinë, Kroacinë, Slloveninë. Në vitet e ardhshme duam të realizojmë edhe aktivitetin më të madh të parealizuar ndonjëherë në Shqipëri nga transmetuesi publik, kur Tirana do të shndërrohet në kryeqendrën e drejtuesve më të lartë të numrit më të madh të transmetuesve publikë botërorë," tha Drejtori i Përgjithshëm i RTSH.

Në 12 muajt e ardhshëm, zhvillimet programore dhe teknologjike do të shtohen, siguroi z. Peza.

"Duke pasur stafin më të mirë në botë dhe duke pasur një staf të jashtëzakonshëm dhe një energji ku pritshmëritë e publikut shqiptar ne po i ndiejmë, sigurisht që RTSH nuk e fsheh ambicien për të qenë media më e madhe dhe më e rëndësishme në Shqipëri. Radiotelevizioni Publik Shqiptar do të rikthehet atje ku ka qenë, ku duhet dhe ku e meritojnë të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen."

/rtsh.al/