Aleksandra Pano është një autore e re, vetëm 16 vjeçe. Por rinia e saj është vetëm në moshë, sepse nxënësja e shkollës "Sami Frashëri" ka publikuar tre libra kaq e re.
E rritur në një familje artistësh ajo ka kultivuar talentin për të sjellë botën fëmijërore të skalitur në romanet e saj.
Librin "Të humbur në detin e pemëve" e ka publikuar vetëm pak muaj më parë. Që në moshën 10-vjeçare ajo shkroi romanin "Lili dhe varësja e sirenës" dhe në moshën 12-vjeçare, "Fantazma në bulevard".
"Unë përpiqem t'i bëj gjërat 'si të më vijnë'. Në fillim bëj gjërat më të rëndësishme, siç janë detyrat e shkollës. Idetë janë gjithnjë aty. Thjesht duhet gjetur koha," tregoi Aleksandra për emisionin "Jetë shqiptare" në RTSH.
Frymëzimin për të shkruar ajo e gjen nga e vërteta, jo vetëm trilli.
"Edhe për fantazinë duhet të marrësh nismë nga realiteti. Për librin tim të tretë frymëzim ishte pylli japonez 'Aokigahara', që njihet edhe si deti i pemëve," tregon autorja e re.
16-vjeçarja e kalon kohën e saj të lirë me shoqërinë, teknologjinë, por sidomos duke lexuar: në bibliotekën e saj mendore janë shtuar plot 250 libra.
Aleksandra Pano ka qenë pjesë e aktiviteteve dhe olimpiadave të ndryshme të shkollave, duke fituar edhe çmime të ndryshme.
/rtsh.al/