RTSH 24 Live

Rajon

"Nuk e njohim Kosovën," kryeministri Micotakis: Greqia s'ka ndryshuar qëndrim

12/02/2024

"Nuk e njohim Kosovën," kryeministri Micotakis: Greqia s'ka ndryshuar qëndrim

“Qëndrimi i Greqisë ndaj Kosovës mbetet i pandryshuar”. Kështu u shpreh kryeministri grek Kiriakos Micotakis (o. Mitsotakis) nga Beogradi.

Gjatë konferencës për mediat me presidentin serb Aleksandër Vuçiq tha se Athina i kushton rëndësi të veçantë bashkëpunimit dypalësh.

Presidenti Vuçiq më njohu me ecurinë e dialogut me Prishtinën. Qëndrimi ynë për Kosovën mbetet i pandryshuar. Ndërmjetësimi evropian dhe dialogu janë mënyra e vetme për të normalizuar raportet mes dy palëve. Kjo do të ndihmonte ndjeshëm stabilitetin në rajon. Ne po i ndjekim me ankth ngjarjet e muajve të fundit,” u shpreh kryeministri Micotakis.

Kreu i qeverisë greke siguroi Serbinë se do të vijojë ta mbështetës në rrugën drejt integrimit evropian.

Kam folur shumë herë për zgjerimin në Bruksel. Beogradi duhet të përfitojë nga rrethanat pozitive në procedurën evropiane. Duke përshpejtuar reformat, ju do të afroheni me BE-në. Ka një të ardhme evropiane për Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor. Ky është qëllimi ynë strategjik,” tha ai.

Ndërsa presidenti Vuçiq duke falenderuar kryeministrin Mitosotakis për mbështetjen  theksoi se Serbia është e vendosur të vazhdojë rrugën evropiane

Serbia dhe Greqia kanë mbështetur gjithmonë integritetin territorial të njëra-tjetrës, besoj se kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë të përshpejtojmë rrugën drejt integrimit. E kuptoj që në Evropë nuk janë gjithmonë të kënaqur me lëvizjet tona, por presim sinjale të qarta për të na mbështetur në rrugëtimin evropian,” tha Vuçiq.

Greqia është mes 5 vendeve të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/