Prej disa vitesh, Álvaro Morata, kapiteni i kombëtares spanjolle është në telashe me një pjesë të tifozëve dhe shtypit në vendlindjen e tij, të cilët e kritikojnë ashpër dhe ndonjëherë tallen për arritjet e tij në fushën e lojës.
Pak para gjysmëfinales së sotme të Kampionatit Evropian mes Spanjës dhe Francës në Allianz Arena të Munihut, telashet tani kanë arritur në një pikë të re.
Tani edhe bashkëshortja e Moratas, Alice Campello ka ndërhyrë dhe ka akuzuar portalin online spanjoll “El Confidencial” për nxitje të urrejtjes ndaj bashkëshortit të saj!
Në Instagramin e saj ajo shkruan ndër të tjera se, “më habit fakti që je i zënë duke fundosur një lojtar të kombëtares në vend që ta mbështesësh. Si mendoni se një person mund të japë maksimumin për vendin e tij nëse nuk i besohet? Çfarë dëshironi të arrini? Të gjenerosh më shumë urrejtje? Urime!”
Pasi bashkëshorti i saj u ankua vazhdimisht në një intervistë për “El Mundo” për mënyrën sesi disa tifozë dhe gazetarë e trajtuan atë dhe madje kërkuan dorëheqjen e tij nga kombëtarja spanjolle pas Kampionatit Europian, gazetarët spanjollë nuk janë ndalur me kaq.
Nën titullin “Morata, një kapiten që turpëron Spanjën - dhe jo vetëm për shkak të paraqitjeve të tij të dobëta në Kampionatin Evropian”, gazetari Sánchez-Flor kritikon veçanërisht ankesat e Moratas pak para ndeshjes gjysmëfinale kundër Francës.
Gazetari ndër të tjera shkruan: “Alvaro Morata ka bërë mjaft për t'u perceptuar si një qaraman. Ai është ankuar gjatë gjithë Kampionatit Europian se nuk respektohet në Spanjë dhe vlerësohet më shumë jashtë. Ai nuk performon mirë në fushë dhe shkatërron gjithçka me komentet e tij.”
Por gruaja e Moratës nuk dëshiron të kursejë kënd, në një tjetër postim ajo shkruan se “nuk duhet të harrojmë se lojtarët kanë prindër, gra dhe fëmijë që duhet të lexojnë këto mizori. Para se të thoni ndonjë gjë, mendoni se si do të ndiheshit nëse kjo do t'ju bëhej juve.”
Nga vijnë gjithë telashet rreth Moratas?
Si në kampionatin spanjoll, ashtu edhe me kombëtaren, sulmuesi i Atlético Madrid është kritikuar jashtëzakonisht ashpër dhe ndonjëherë është tallur nga tifozët dhe ekspertët për paraqitjet e tij prej vitesh.
Nga ana e tij Morata vazhdimisht ankohet publikisht për këto kritika.
Në fillim të Kampionatit Evropian ai tha në emisionin radiofonik “El Larguero”: “Për mua gjëja më e lehtë do të ishte të mos luaja në Spanjë – për shkak të gjërave që duhet të përjetoj kur dal nga shtëpia. Fëmijët e mi pesëvjeçarë shpesh nuk e kuptojnë pse disa njerëz janë kaq të zemëruar me mua.”
Kjo ndjenjë padyshim nuk ka ndryshuar për Morata-n pavarësisht se skuadra e tij ka arritur në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian.
Aq më e rëndësishmja për të: Morata është jashtëzakonisht popullor si lider brenda skuadrës spanjolle dhe trajneri Luis de la Fuente është krah tij pavarësisht zhurmës që e rrethon.
Trajneri para përballjes me Francën e bëri të qartë: “trajtimi i Alvaros është krejtësisht i padrejtë. Ai është një model në të gjitha aspektet. E mbështes edhe si futbollist edhe si person. Ai ka mbështetjen tonë të plotë.”
/rtsh.al/