RTSH 24 Live

Politikë

"Mos blini apartamente në projektin e Portit të Durrësit", Meta thirrje organeve të drejtësisë: Reagoni menjëherë

05/08/2022

"Mos blini apartamente në projektin e Portit të Durrësit", Meta thirrje organeve të drejtësisë: Reagoni menjëherë

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos blejnë apartamente në projektin e ri të Portit të Durrësit dhe të mos bien pre e mashtrimeve të skemës piramidale. Meta thotë se Projekti është bërë në mungesë të plotë të transparencës pasi nuk është publikuar asnjë memorandum, kontratë apo informacion se si do bëhet ndarja e të ardhurave.

MOS BLINI APARTAMENTE NË PROJEKTIN E PORTIT TË DURRËSIT! MOS BINI PRE E MASHTRIMEVE TË KËSAJ SKEME TË PASTËR PIRAMIDALE! I ftoj të gjithë qytetarët të mos bien pre e mashtrimeve dhe të mos shpenzojnë asnjë qindarkë për blerjen e apartamenteve në Projektin e Portit të Durrësit, që nuk është gjë tjetër veçse një skemë e pastër piramidale për vjedhjen e parave tuaja. Në mungesë të plotë transparence, për këtë të ashtuquajtur Projekt, nuk është publikuar asnjë memorandum, kontratë apo informacion se si do të bëhet ndarja e të ardhurave”, shkruan Meta në rrjetin social Facebook.

Më tej ai u bën thirrje organeve të drejtësisë që të reagojnë menjëherë dhe të pengojnë nënshkrimin e çdo kontrate paraprake shit-blerje. “Është vetëm një aferë e pastër korruptive, që synon t'ju grabisë paratë dhe asgjë më shumë! U bëj thirrje organeve të Drejtësisë të reagojnë menjëherë dhe të ndërhyjnë për të penguar nënshkrimin e çdo kontrate paraprake shit-blerje, në kundërshtim të ligjit dhe në dëm të qytetarëve”, shkruan Meta.

/rtsh.al/