Një koncert në nderim të mjeshtrit të valles popullore, Rexhep Çeliku, do të mbahet të mërkurën në orën 19:00 në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore.
Koncerti është konceptuar si një natë-homazh në kuadër të 7-vjetorit të ndarjes nga jeta e “kërcimtarit fluturues”.
Në një orë e gjysmë koncert do të përfshihen pjesët më të mira nga repertori i të "Nderit të Kombit" Çeliku. Në lidhje me këtë organizim, e ftuar në emisionin “Miqtë e Pasdites” në RTSH 1 ishte e ftuar solistja Hegla Saraçi.
Ka qenë pak e vështirë konceptimi i këtij koncerti, u shpreh Saraçi, për shkak të karrierës tepër të gjatë dhe të suksesshme të artistit të madh.
“Ka qenë shumë e vështirë për të zgjedhur repertorin e valleve të tij. Për këtë është bërë një konsultim me njerëzit e rëndësishëm të artit të valles, të cilët pas disa konsultimesh kanë arritur të bëjnë një përzgjedhje prej nëntë vallesh të një repertori tepër të pasur të tij.
Në këtë repertor do të ekzekutohen dhe disa pjesë që janë vënë në skenë nga vetë profesor Çeliku me koreografin e punuar prej vet atij sikurse janë; “Mall për Çamërinë”, si dhe një duhet i cili është marr nga “Trimat e Jutbinës”, një shfaqe shumë interesante me krijim të vet të madhit Rexhep Çeliku."
Drejtori artistik Sokol Marsi në bashkëpunim me mjeshtrin aktual të valleve, Genci Kastrati, si dhe shumë artistë të tjerë janë konsultuar për vallet e pranishme në këtë koncert homazh.
Solistja Saraçi tregon momente se si e ka njohur nga afër kërcimtarin e ndjerë.
“Fillimisht ai ka qenë profesori im dhe më vonë, në 15 vite punë së bashku ka qenë për ne një burim frymëzimi, jo vetëm për mua por për të gjithë Ansamblin. Një njëri shumë kërkues profesionalisht, një njëri shumë korrekt, një njeri që e dashuronte punën. Salla e baletit ishte një burim frymëzimi dhe një dashuri shumë e madhe i cili mundohej që të na i përcillte mësimet plotë dashuri dhe ta përjetonim vallen me atë pasion sikurse dhe ai vetë e jetonte”.
Sipas solistes, Çeliku nuk ka qenë thjesht një kërcimtar shumë i mirë. por dhe një krijues po kaq me vlera të rëndësishme artistike. Në këtë natë homazh nuk do jenë vetëm kërcimet që kanë shënjuar jetën artistike të valltarit të ndjerë Prof. Çelikut por dhe pjesë nga krijimtaria dhe koreografia e tij.
Duke treguar disa element artistikë që do këtë në natën e 19 shkurtit, Saraçi shtoi se “Janë shumë pjesë mes të cilave publiku do të njihet ndoshta për herë të parë me jetën e një personaliteti artistik aq të madh dhe figure artistike aq të madhe sa Rexhep Çeliku. Gjithë programi është mbështetur në trupën artistike të Ansamblit Kombëtar me pjesëmarrjen e orkestrës, grupit vokal, solistëve, ku kryefjalë është vallja, por nuk do të mungojnë as të ftuarit specialë siç është Irini Qirjako, e cila do të sjellin një perlë të polifonisë sonë në skenë.”
Për këtë koncert ka pasur shumë interes nga artdashësit dhe të gjitha biletat janë shitur dhe shumë njerëz kanë qenë të interesuar.
“Njerëzit e kanë dashur Rexhep Çelikun jo vetëm si valltar por edhe si njeri. Jam e sigurt që po të ishte në jetë sot profesor Çeliku do të ishte i lumtur dhe krenar sepse sot Ansambli tashmë është në duart të sigurta dhe ka një trashëgimi shumë të pasur me njerëz me vlera. Të gjithë po kujdesen për punën që ai ka bërë gjithë këto vite."
/rtsh.al/