RTSH 24 Live

Lifestyle

"Miqtë e Pasdites", dermatologia: Në këtë botë imazhi duhet të jesh estetikisht i këndshëm

17/02/2025

"Miqtë e Pasdites", dermatologia: Në këtë botë imazhi duhet të jesh estetikisht i këndshëm

Shumë personazhe të shoubizit reklamojnë bukurinë e tyre dhe shtyjnë ndjekësit drejt trajtimeve dermo-estetike me ëndrrën për një pamje më estetike.

Nga këto trajtime, prej kohësh vazhdon të bëjë bujë ai që njihet si trajtimin me Lazerin CO2 ose me dioksid karboni.

Te kjo temë u fokusua të hënën edhe emisioni "Miqtë e Pasdites" në RTSH 1.

Dermatologia Ela Treko tha se Lazeri CO2 bën një djegie e kontrolluar e lëkurës, në bazë të problematikave që ka pacienti, duke nxitur më tej prodhimin e kolagjenit dhe zbutjen e shenjave që mund të lënë sëmundje të ndryshme të lëkurës, si akneja.

Sipas znj. Treko, procedura duhet kryer në muajt e freskët përpara se rrezet e diellit të fuqizohen dhe ta çojnë pacientin drejt hiperpigmentimeve apo njollave të errëta në lëkurë, të cilat janë një sfidë më vete për t'i eliminuar.

Në bisedën me moderatoren Beniada Nishani, dermatologia konfirmoi një rritje të konsiderueshme të klientëve që vijnë në klinika për këtë lloj trajtimi.

Pjesë nga intervista në studio me dermatologen Ela Treko

Beniada Nishani: Në këto vite ke parë një ngritje më të konsiderueshme të klientëve që kanë ardhur në klinikën tënde?

Ela Treko: Momentalisht nuk është në majat, por kam vënë re një rritje të burrave dhe kjo më vjen shumë mirë. Janë të ndërgjegjësuar, më thonë "mos i thuaj njeriu". Në pjesën më të madhe i sjellin partneret.

Janë rritur me 41,3 për qind rastet e fillimit të trajtimeve estetike. Si e shikon këtë numër?

Absolutisht do të ketë rrije. Imazhi është shumë i rëndësishëm. Jetojmë në një botë imazhi. Po s'qe estetikisht i këndshëm s'të afrohet njeri për të njohur.

Vajzat shkojnë në qendrat estetike dhe të pyesin se kë personazh po kërkojnë?

Duan të bëhen si Xheneta, si Bora Zemani, si Beniada. Trendi janë mollëzat e ekzagjeruara, maja e mjekrës e gjatë dhe buzët.

Në rastin kur vajzat janë minorene, i përcjell mami ose një familjar?

Në pjesën më të madhe vijnë vetë. Janë të rralla rastet kur mamaja është shtysë për fëmijët. Një gocë 19 vjeçe më erdhi e shoqëruar me të ëmën e saj. E ëma thoshte se duhet t'i bëj mollëzat. Ky ka qenë rast sporadik. Ka dhe persona të varur dhe për një pikë të vogël që s'e kanë simetrike. Pastaj bëhet varësi. Në këtë rast, mamaja donte që të bënte shumë trajtime. E ëma donte që vajza të bëhej njësoj si mami.

A janë trajtimet e përballueshme për xhepat e shqiptarëve. Sa mund të kushtojë një trajtim estetik?

Në tregun shqiptar ke opsion për të gjitha. Lazeri CO2 i pjesës së fytyrës është 350 euro deri në 400 euro për një seancë. Bëhen edhe oferta në kohë të caktuara. Një trajtim estetik me një produkt të mirë, të certifikuar, fillojnë diku te 120 euro deri në 140 euro.

Trajtimi më i shtrenjtë?

Lazeri CO2, por është dhe nga sasia e acidit hialuronik që përdoret. Mund të duhet sasi e madhe. Janë paguar 2 mijë deri në 3 mijë euro.

/rtsh.al/