RTSH 24 Live

Lifestyle

Avokati i Chiara Ferragni flet ekskluzivisht për "Miqtë e Pasdites": Edhe Shqipëria ka talente!

07/02/2025

Avokati i Chiara Ferragni flet ekskluzivisht për "Miqtë e Pasdites": Edhe Shqipëria ka talente!

Marcello D'Onofrio është një avokat italian, i cili menaxhon shumë artistë dhe VIP-a në vendin tonë fqinj. Ndër klientët e tij janë personazhet me shumë influencë publike, si Chiara Ferragni, Belen Rodriguez, futbollisti Theo Hernandez dhe shumë të tjerë.

Gjatë një interviste me moderatoren Beniada Nishani në "Miqtë e pasdites" në RTSH 1, avokati D'Onofrio tregoi se Shqipëria është një tjetër vend ku ai synon të shtrijë agjencinë e tij për çështjet ligjore, pasi as këtu nuk mungojnë personazhet me vlera.

Si ka qenë eksperienca si avokat i Chiara Ferragni?

Chiara-n e kam njohur shumë kohë përpara, në fillimet e saj. Ishte në lidhje me dashurinë e vet, Riccardo Pozzuoli. Mund të them që Chiara është e vetmja influencer italiane që ka pasur shikueshmëri dhe njohje ndërkombëtare veçanërisht në modë.

Sot a është dikush që mund ta zëvendësojë atë?

Unë mendoj se Chiara është e pazëvendësueshme. E kam fjalën për influencuesit. Ka shumë njerëz që janë bërë ndikues falë televizionit, që bëjnë kontrata në modë, por Chiara ka lindur me Facebook edhe para Instagramit. Influencuesit që kanë lindur me rrjetet sociale janë pak dhe Chiara ka lindur kështu.

Po uebsajti "The Blonde Salad"?

Është bërë më pas. Ajo realisht influenconte publikun dhe modën. Arriti një pikë që markat e mëdha dhe veçanërisht revistat e modës besonin se Chiara ishte bërë shumë e fuqishme, dhe kjo ishte e bezdisshme.

Dhe ti mendon që për shkak të kësaj situate e kanë sulmuar?

Personazhet si ajo, aq të forta, duhet të jenë shumë të kujdesshëm që të mos bëjë asnjë gabim. Nuk ishte faji i saj, por i menaxhmentit që drejtonte, që e bëri këtë gabim: eventi i famshëm i Pandoros, skandali lidhur me aktivitetin bamirës, ​​që në realitet nuk ishte ashtu siç deklarohej Chiara. Ajo nuk dinte asgjë. Unë menaxhoj shumë 'talent show' dhe ju siguroj që personazhet nuk mund të kenë vëmendjen për gjithçka. Bëjnë evente, postime, firmosin, por nuk kuptojnë dot gjithçka. Unë kam qenë avokati i Khaby Lame. Ai ka firmosur kontratat, por ka besuar në punën time, sepse paguhem për këtë.

Më flisni edhe për agjencinë tuaj. Këtu mungon një agjenci që të kujdeset për personazhin nga A-ja te Zh-ja, sidomos në nivel ligjor. Agjencia juaj është një nga më të rëndësishmet dhe më të suksesshmet. Çfarë bëni?

Ne ndjekim "talent show" 360 gradë. Kam një grup vajzash që ndjekin "talent show", gjithçka duhet të bëjnë si aktivitet, si në evente, por edhe ato që duhet të bëjnë, qoftë edhe për kontratat. Zyra ime ligjore merret me gjithçka. Takimet më të mëdha trajtohen nga unë. Kontrata që lidhen me të drejtat e imazhit, por edhe kontrata për krijimin e markave, si ajo e Belen Rodriguez, që ka tre marka veshjesh dhe "beauty".

Agjencia juaj ka edhe futbollistë, si Theo Hernandez. Kishte ndonjë problem ligjor që e zgjidhi përfundimisht me një modele? Për çfarë bëhej fjalë?

Theo u akuzua nga një modele se u përpoq të përfitonte prej atij në një festë. Por fatmirësisht shkoi mirë, sepse kishte një kamerë që ishte jashtë vendit ku vajza kishte pretenduar që Theo e kishte ngacmuar. Doli që nuk ishte e vërtetë. Ajo donte ta fuste në kurth. Theo e fitoi çështjen dhe vajza është në gjyq për shpifje.

Fatmirësisht, sepse këto raste ekzistojnë në Itali, janë të zakonshme. Vajzat përpiqen të përfitojnë dhe madje bëhen të famshme.

Po, është diçka që ndodh patjetër. Po.

Me cilin personazh keni punuar më shumë dhe si është marrëdhënia juaj me ta sot?

Belen është ajo që kam ndjekur prej kohësh. Ajo sapo kishte ardhur në Itali. Ka pasur shumë agjenci, por unë e ndiqja ligjërisht. Edhe Melisën, nga 18 vjeçe dhe tani 40. Imagjino sa kohë ka kaluar. Si Giulia Salemi, një infleuncer shumë e kërkuar. Janë shumë.

Po, shumë, jo vetëm avokat, por jeni bërë edhe pak familjar me disa prej tyre?

Pa dyshim krijohet një lidhje. Melisa isha 18 vjeçe kur e pashë të martohej, të ndahej, të kenë një fëmijë, kështu që edhe Belen krijon një lidhje që shkon përtej aspektit profesional. Dhe më kërkojnë edhe këshilla..

Cila është këshilla që të kërkojnë më shumë?

Shumë. Nëse del një artikull ku akuzohen për diçka, për një postim që kanë bërë... çfarë të bëjnë? Të shkruajnë, të përgjigjen ose të mos replikojnë. Ju që jeni në rrjetet sociale, siç e di ti Beniada, ka njerëz që të duan, por edhe shumë "haters". Dhe kemi kujdes… për këtë duhet një agjenci.

Një personazh tjetër shumë i famshëm që shpërtheu në rrjetet sociale, në TikTok, është Khaby?

Një fenomen i pabesueshëm. Ai ishte murator gjatë kovidit. Emigroi në Itali me një familje nga Senegali, që jetonte me 6 vëllezër në një shtëpi. Sot TikToker numër 1 me 160 milionë ndjekës, me angazhim shumë të lartë, shumë të fortë dhe i ndjekur në Amerikë.

Cili personazh shqiptar ju pëlqen? E ndiqni tregun shqiptar?

Shqipëria është një vend afër nesh. Por ti si personazh, Beniada!

Në Shqipëri ka plot personazhe, vajza prezantuese dhe jo vetëm, artiste këngëtare. Duhet të vini në Tiranë, sepse jam e sigurt që do të gjeni shumë personazhe interesante për të menaxhuar.

Po, do vij në Tiranë dhe jam i bindur për këtë, sepse ka shumë vajza shqiptare, si dashura e Fred de Palma, Jori Delli, që njihen edhe në Itali. Ajo është një personazh që mund të punojë në Itali, sepse me këtë lidhjen që ka krijuar ka shikueshmëri në territorin tonë. Për shembull, Sharon, e dashura e Gianluca Vacchi, e cila vjen nga Shtetet e Bashkuara, ka treg edhe në Itali, sepse shoqërohet nga Gianluca, një figurë ndërkombëtare. Kur kompanitë kërkojnë marka italiane, kërkojnë një karakter të fortë në territor, por Shqipëria është një vend në rritje, edhe nga pikëpamja e modës, dhe një vend me kompani që prodhojnë për kompanitë italiane. Shumë marka italiane po zbarkojnë në Shqipëri dhe me siguri do të më duhen edhe influencues dhe talente që mund të promovojnë markat italiane.

/rtsh.al/