Edhe pse është në krye të Kolonjës, Erion Isai s’mund të rrijë larg artit, teatrit e televizionit. I ftuar i Ermal Peçit në programin "E diela jonë", ai foli edhe për krijimet e fundit filmike dhe debatin online.
A na duhen filmat komercialë? Kush duhet të jenë aktorët? Duket se Erioni i ka gati përgjigjet.
"Mund të kem 4 vjet pa e takuar dhe pa folur në telefon dhe ai është Ermal Mamaqi. Kur shoh sesi e sulmojnë më ngrihen nervat. Pse kanë neveri nga njerëzit që punojnë? Kush tha që Ermal Mamaqi s'e bën dot producentin? E bën që ç'ke me të për sa kohë mbush sallën plot dhe për këtë, i lumtë. E çfarë se Luizi nuk është aktor me diplomë? A pati sukses? Si është më mirë që të rinjtë të shohin filmin e Luizit apo të pinë hashash?"
Nisur nga puna e tij si regjisor, Ermali e pyet se sa herë dyzohet ai për kastin e aktorëve që punon.
"Sot ka aktorë që janë shumë të talentuar, që të shesin biletat e mbushin portalet, por më të cilët nuk punohet se janë dembelë dhe arrogantë dhe nuk dinë të përshtaten. Ata që e kanë talentin dhe famën me shumicë duhet të jenë më të ulurit në punë. Ndërkohë janë më problematikët që vijnë me vonesë në prova."
Erion Isai i zbuloi Ermalit edhe një surprizë.
"Kam gati një muzikal që mendoj se do të bëhet në Pallatin e Kongresit. Dua të bëj 'Moulin Rouge' ku protagonisti kryesor duhet të jetë Flor Mumajesi."
/rtsh.al/