RTSH 24 Live

Europë

"Libra" rinis operacionin, nga e hëna emigrantët e shpëtuar në det do sillen në Shqipëri

3 orë para

"Libra" rinis operacionin, nga e hëna emigrantët e shpëtuar në det do sillen në Shqipëri

Media italiane "Corriere della Sera" raporton se nga e hëna, anija e marinës italiane "Libra" rikthehet për të patrulluar në ujërat e Lampeduzës, ku do të marrë refugjatët e shpëtuar në Detin Mesdhe.

Pasi t’u nënshtrohen një kontrolli paraprak, emigrantët e përshtatshëm, që duhet të jenë vetëm burra, jovulnerabël dhe të vijnë nga vende të konsideruara të sigurta sipas legjislacionit italian, do të dërgohen në qendrat e pritjes në Shqipëri.

Italia po provon sërish nisjen e operacionit të riatdhesimit të emigrantëve, 17 ditë pas mbërritjes së azilkërkuesve të parë në Shqipëri dhe 15 ditë pas kthimit të tyre drejt Italisë, kur me vendim gjykate ky proces u quajt i paligjshëm.

Në thelb, vendimi i Gjykatës së Romës vendosi se procedura e përshpejtuar nuk mund të zbatohet për emigrantët që vijnë nga vende të sigurta vetëm sipas Italisë dhe jo sipas legjislacionit evropian. 

Qeveria italiane më 21 tetor miratoi një dekret ligjor për të rishikuar listën e "vendeve të sigurta".  

"Ndërkohë që qendrat në Shëngjin dhe Gjadër prej dy javësh kanë mbetur pa 'mysafirë', ato janë populluar me gati 300 punonjës, përkthyes, pastrues, staf mjekësor dhe infermieror, oficerë policie, polici financiare dhe karabinierë," shkruan gazeta italiane, duke shtuar se qeveria e kryeministres Xhorxha Meloni (o. Giorgia) është e vendosur të vijojë me zbatimin e marrëveshjes me Shqipërinë.

Një njoftim në faqen e Ministrisë italiane të Drejtësisë tregon se një kompani nga Tirana ka marrë “një kontratë pastrimi të qendrës së pritjes në Gjadër me vlerë 48 mijë euro për 6 muaj". 

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/