RTSH 24 Live

Aktualitet

Kokainë nga Amerika e Jugut në Gjermani, GJKKO sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut

29/03/2024

 Kokainë nga Amerika e Jugut në Gjermani, GJKKO sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut

GJKKO ka sekuestruar pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut. Këta dy persona, me lidhje krushqie me njëri-tjetrin, akuzohen se transportonin kokainë nëpërmjet rrugës detare nga Amerika e Jugut për në Gjermani.

Pas kërkesës së SPAK, GJKKO ka sekuestruar dhjetëra llogari bankare me gjendje mbi 130 mijë eurosh, apartamente, automjete e shoqëri tregtare në pronësi të Olsi Syziut e përsonave të tjerë të lidhur me këtë të fundit dhe Princ Dobroshit.

Ky i fundit, shtetas nga Kosova, po hetohet nga autoritetet gjermane për trafik te lëndëve narkotike në kuadër të grupit të organizuar kriminal.

Princ Dobroshi në vitin 1993, ishte kapur, dhe më pas ishte dënuar në Norvegji me 14 vjet burg për trafikim të heroinës.

Ndërsa Olsi Syziu, kunati i Dobroshit, gjatë vitit 2020 dhe më pas, së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, kishin planifikuar dhe kanë transportuar sasira të konsiderueshme lëndësh narkotike të llojit kokainë nëpërmjet rrugës detare nga Amerika e Jugut për në Gjermani, si dhe ka shpërndarë lëndë narkotike  në Gjermani.

Në zbatim të urdhërit të ekzekutimit të datës 29.02.2024, të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nga oficerët e shërbimit të Policisë Gjyqësore në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me përfaqësuesit e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Tiranë, janë sekuestruar pasuritë e poshtëshënuara:

  1. Dhjetë llogari bankare me gjendje në total rreth 133 000 (njëqind e tridhjetë e tre mijë) Euro;
  2. Pasuria e paluajtshme e llojit godinë banimi, me adresë, “Gjiri i Lalzit”, Draç, Durrës, me sipërfaqe: kati përdhe 92 m², kati i parë 97 m², kati i dytë 55 m² + verandë me sipërfaqe 42 m² dhe sipërfaqe e përbashkët 576 m², në pronësi të shtetases S.R;
  3. Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe 61.38 m², e regjistruar në emër të shtetasve Olsi Syziu, B.S, A.S dhe M.C (S), në Rezidencën “Kodra e Diellit”, Selitë, Tiranë;
  4. Pasuri e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe 95.96 m², e regjistruar në emër të shtetasve Olsi Syziu, B.S, A.S dhe M.C (S), në Rezidencën “Kodra e Diellit”, Selitë, Tiranë;
  5. Pasuria e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe 198.4 m2 banim, dhe dy poste parkimi, me sipërfaqe totale 234.1 m2 me adresë “Liqeni i Thatë”, Tiranë;
  6. Pasuria e luajtshme automjet i markës “Volvo”, modeli “XC 60”, viti i prodhimit 2015, ngjyrë e zezë, në pronësi të shtetases A.S.
  7. Shoqëria tregtare “SLAI”, me numër identifikimi tatimor (NIPT): M18330301H, me adresë në qytetin e Lezhës, si dhe me ortak të vetëm shtetasin Olsi Syziu”, thuhet në njoftim.

/rtsh.al/